Çifti shqiptar në Zvicër: Na bashkoi dashuria dhe mjekësia

2017-03-10 në ora 09:44

Rrugëtimi i tyre profesional bën që Afërdita dhe Durrsimi të takohen dhe që së bashku të realizojnë ëndrrat që kishin për profesionin e tyre, mjekësinë

Të lindur në Kosovë, në nëntorët e vitit ’82 dhe ’75, Afërdita dhe Durrsimi kanë krijuar një fole të ngrohtë familjare së cilës i japin emër edhe dy djemtë e tyre 3 dhe 1 vjeçar. Rrugëtimi i tyre profesional bën që Afërdita dhe Durrsimi të takohen diku ku dashuria për njëri-tjetrin pushton zemrat e tyre dhe që të dy së bashku realizojnë edhe ëndrrat që kishin për profesionin e tyre të ardhshëm.

“Djali i bardhë” siç e quanin në lagjen e tij në Ferizaj, i cili që në fëmijëri përkujdesej për shpezët, qentë e macet e plagosura aty ku i takonte, sot është mjek me perspektivë  në Zvicër. Ai mban titullin Shef i klinikës së urologjisë në spitalin gjysmëprivat në Nyon.  Afërdita, e cila pas mbarimit të klasës së 5-të të fillores, bashkë me nënën, tre vëllezërit e motrën saj vjen nga Gjilani për të jetuar tek babai i saj në Gjenevë, “e privilegjuara” e babit të saj aktor, e cila nuk njeh të ketë pasur tema tabu në familjen e saj, sot është mjeke, specialiste interne-gjeneraliste në Spitalin universitar të Gjenevës.

Dy mantelbardhët rrëfehen për albinfo.ch. Ata tregojnë se pas shkollimit të mesëm kanë kaluar edhe nga 11 respektivisht 12 vite studimesh universitare e postuniversitare për të përqafuar profesionin që e duan, duke lënë anash takimet e shpeshta me familje e miq dhe aktivitetet tjera argëtuese. Përderisa Afërdita që nga mosha 11 vjeçare i është adaptuar sistemit të shkollimit në Zvicër dhe zotëron tri gjuhë, Durrsimi kishte kaluar sfida të ndryshme për të qenë aty ku është sot.

Ai, para se të vendoset në shtetin helvetik ka njohur mirë tri gjuhë. Gjuhës frënge i është përveshur nga “A”-ja në të cilën i është dashur t’i nënshtrohet provimeve gojore dhe me shkrim gjatë studimeve. Urologu specialist që tani gëzon një simpati të madhe në mesin e kolegëve të tij, vetëm pas një përvoje fillestare prej 9 muajsh në klinikën e Nyonit e më pastaj edhe të një kontrate dy vjeçare në Spitalin universitar të Lozanës, arrin të konfirmohet për specializim në urologji nga profesori Jichlinski me të cilin kontrakton punën dhe studimet në klinikën e Nyonit deri në vitin 2013.

Kushtet e mjekësisë në Kosovë, të pakrahasueshme me ato në Zvicër

Çifti i mantelbardhëve, tregon se orari i punës që kanë arrin 50 orë në javë. Në kohë të caktuara ata thonë që “na ka ndodhur të mos kemi kaluar së bashku katër apo pesë vikende”. Afërdita cek një shembull që ta kuptojmë kohën dhe angazhimin në punën e mjekëve: “nëse vetëm 15 minuta  para se të kryej punën unë pranoj një pacient të ri, varësisht nga komplikimet që ka ai, më duhet të trajtoj gjendjen e tij e më pastaj të shkruaj  një raport për kolegët që fillojnë punën pas meje. Kjo mund të zgjasë edhe me orë të tëra”.

Durrsimi ka kryer Fakultetin e mjekësisë së përgjithshme në Kosovë, ka punuar një vit e gjysmë në Qendrën e mjekësisë familjare në Ferizaj e Afërdita ka kryer një muaj praktikë pune observuese në Emergjencë të Spitalit Universitar të Prishtinës. Kështu, pyetjes së albinfo-s rreth një paraleleje në mes të përvojës së tyre profesionale atje dhe këtu, që të dy i përgjigjen se është diçka “e pakrahasueshme”.

Ata rrëfejnë edhe për kriteret e larta që ka sistemi zviceran për të formuar specialistët e tyre. Për te marr titullin specialist urolog kalohet përmes një provimi gojor,  me shkrim dhe një provim praktik ku duhet realizuar një operacion. Durrsimi po ashtu ka kryer edhe një provim, “fellow” i Bordit evropian të urologjisë, titull, të cilin e ka mbrojtur në Bruksel dhe ne Pragë. ” Mirëpo edhe pasi të fillojmë specializimin, kërkesat duhet të plotëson rregullisht mbase në asnjë moment nuk je i sigurt se do të mbashë statusin e specializantit” thonë Afërdita e Durrsimi.

Përparësitë dhe vështirësitë ndërkulturore

“Nëse kemi të bëjmë me pacientë që nuk flasin njërën prej katër gjuhëve që flasim ne, në raste urgjente, jemi të obliguar që diagnostifikimi ynë i parë të bazohet në shenjat klinike dhe analiza. Përndryshe kur koha premton, kemi mundësi edhe të ftojmë përkthyes përkatës. Ndërsa sa u përket pacientëve që flasin gjuhën shqipe, një pjesë e të cilëve vijnë me përkthyes apo me ndonjë anëtar të familjes që flet gjuhën e vendit, ata ndjehen jashtëzakonisht mirë që ne flasim po të njëjtën gjuhë, thonë Afërdita e Durrsimi.

Afërdita rikujton një nga pacientet e saj që asnjëherë nuk e kishte ndjerë veten të lirë që të fliste në praninë e një përkthyesi apo anëtari të familjes, për një problem shëndetësor që i ishte shfaqur para disa viteve.  Një vështirësi tjetër me të cilën ata ndeshen në punën e tyre, është në disa raste një prani e tepruar e familjarëve të cilët me kërkesat e tyre bien ndesh me etikën  profesionale. Afërdita thotë t’i ketë ndodhur që familja e pacientit t’i kërkoj asaj që të mos i tregohet e vërteta pacientit me bindjen se ky i fundit “ nuk do të mund të përballet me sëmundjen e re”.

Ecja me kohën

Durrësimi radhit përparësitë në profesionin e tij duke thënë se “përpos kontaktit human që kemi, ne jemi të obliguar të ndjekim rregullisht seminare të ndryshme përmes të cilëve përcjellim zhvillimin e shkencës në aspektin zbulues dhe teknologjinë më të re të saj”.   Eksperienca profesionale, raporti me kolegët, kontakti me pacientët, janë jashtëzakonisht pozitive për çiftin mantelbardhë. “Janë gjëra që nuk mësohen në shkollë, kontakti human është fryt i kulturës dhe edukatës familjare” thonë ata.

E puna e natës?

“T’i dalësh zot profesionit dhe jetës familjare nuk është edhe e lehtë” thot Afërdita e cila herë-herë duhet të punojë në spital edhe gjatë orarit të natës. Mirëpo, përpos lodhjes ajo nuk ankohet pse ka qëndruar afër pacientëve të saj duke e ditur se pranë fëmijëve të saj ka qëndruar i përkujdesur babai i tyre Durrësimi, i cili përkushtohet në maksimum për familjen e tij. Që të dy thonë për albinfo.ch se: “të kesh dy fëmijë të vegjël të cilët presin shumë prej nesh, të ushtrohet profesioni i mjekut me orare të ndryshme, nënkupton që për një kohë ne kemi vendosur t’i lëmë anash shumë aktivitete argëtuese e të shijojmë një jetë të lumtur më ndryshe”.