Një mëngjes i ekuilibruar që siguron 20% deri në 30% të energjisë ditore mund të jetë çelësi për një zemër të shëndetshme, tregon një studim i ri.
Ngrënia e më pak ose më shumë se kjo sasi mund të rrisë disa faktorë rreziku kardiometabolik, veçanërisht tek të moshuarit, raporton Medical News Today, përcjell Gazeta Shneta.
Studimi i botuar në revistën “Journal of Nutrition, Health and Aging”, është ndër të parët që shqyrton lidhjen midis përmbajtjes kalorike të mëngjesit, cilësisë së ushqimeve dhe shëndetit kardiovaskular.
Mes tjerash, ky studim u zhvillua në Institutin Kërkimor ‘Hospital del Mar’ në Spanjë, duke u mbështetur në të dhënat e një prove klinike që vlerësonte përfitimet e dietës mesdhetare me dhe pa aktivitet fizik.
Në studim morën pjesë 383 individë të moshës 55–75 vjeç, të gjithë me mbipeshë ose obezitet dhe me të paktën tre shënues të sindromës metabolike. Pjesëmarrësit u ndoqën për 36 muaj, ndërsa u matën treguesit e tyre shëndetësorë.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin mëngjesin brenda intervalit të rekomanduar – 20% deri në 30% të kalorive ditore – kishin BMI më të ulët, perimetër më të vogël të belit, dhe nivele më të shëndetshme të kolesterolit. Ndërsa ata që hanin më pak se 20% ose më shumë se 30% të kalorive në mëngjes, shfaqën rritje të ndjeshme të triglicerideve dhe ulje të HDL, kolesterolit “të mirë”.
Sipas studiuesve, një mëngjes i ekuilibruar jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e peshës trupore, por edhe mbron zemrën, duke konfirmuar rëndësinë e zakoneve të rregullta dhe të shëndetshme të ushqyerjes. /Gazeta Shneta/


