Në një spital publik në qendër të Pekinit, në ekranin e një kompjuteri u shfaqën fjalët “Dua të ha”, të shkruara në karaktere kineze. Ato erdhën nga mendimet e një gruaje 67-vjeçare me sklerozë laterale amiotrofike (ALS), e cila nuk është në gjendje të flasë.
Ky demonstrim, i filmuar në mars nga Stacioni i Radios dhe Televizionit të Pekinit, ishte pjesë e një prove klinike me pesë pacientë që kishin implantuar Beinao-1 – një çip pa tela, me madhësinë e një monedhe, që lidh trurin me kompjuterin (BCI).
Teknologjia, edhe pse e zhvilluar fillimisht në SHBA, po përparon me shpejtësi në Kinë, raporton CNN.
Drejtori i Institutit Kinez për Kërkime të Trurit (CIBR), Luo Minmin, tha se kanë marrë shumë kërkesa nga pacientët, të cilët raportojnë ndjesinë se po rifitojnë kontrollin mbi trupin.
Ai theksoi se pajisja deshifron sinjalet e trurit me “saktësi të lartë” dhe i shndërron në tekst apo lëvizje të pajisjeve. Vitin e ardhshëm, plani është që teknologjia të testohet te 50 deri 100 pacientë të tjerë.
Kina ka aktualisht pesë pacientë me implante Beinao, njësoj si Neuralink e Elon Musk.
Kompania amerikane Synchron ka testuar teknologjinë në dhjetë pacientë. Megjithëse e nisur më vonë, Kina po shfaq përparime të shpejta në këtë fushë, në përputhje me ambiciet e presidentit Xi Jinping për ta bërë vendin një superfuqi teknologjike.


