Diabeti i tipit 2 prek më shumë se 500 milionë njerëz në mbarë botën dhe pritet që ky numër të rritet edhe më shumë në dekadat e ardhshme. Kjo gjendje rrit rrezikun për hipertension, sëmundje kardiovaskulare, probleme me veshkat, dëmtime nervore dhe shqetësime të shikimit. Përveç medikamenteve, mënyra e jetesës – sidomos dieta dhe aktiviteti fizik – luan rol kyç në parandalimin e komplikimeve.
Studime të reja tregojnë se dieta DASH (Dietary Approaches to Stop Hypertension), e njohur fillimisht për uljen e tensionit të gjakut, mund të jetë ndër qasjet më të efektshme për reduktimin e rrezikut të komplikimeve të diabetit të tipit 2, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
DASH është e pasur me kalium, magnez, kalcium, fibra dhe yndyrna të shëndetshme, ndërsa ka pak natrium, sheqerna të shtuar dhe yndyrna të ngopura. Kjo kombinim ushqyesish ndihmon në reduktimin e inflamacionit, përmirësimin e elasticitetit të enëve të gjakut dhe mbështet funksionin e veshkave.
Sipas specialistëve, përfshirja e kësaj diete tek personat me diabet mund të mbrojë organet që zakonisht dëmtohen nga niveli i lartë i glukozës, si zemra, veshkat, sytë dhe enët e gjakut.
Studimet e publikuara në “Frontiers in Nutrition”, theksojnë se DASH përmirëson disa rrugë biologjike që lidhen drejtpërdrejt me komplikimet e diabetit, duke e bërë atë një mjet të vlefshëm krahas trajtimit mjekësor.
Në kombinim me barna si metformina dhe agonistët GLP-1, DASH mund të ndihmojë në kontrollin më efektiv të sheqerit në gjak dhe në uljen e rrezikut të problemeve afatgjata.
Për shumë persona me diabet të tipit 2, kjo dietë përfaqëson një mënyrë të thjeshtë, të sigurt dhe të qëndrueshme për përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm. /Gazeta Shneta/


