Personat që ndjekin një stil ushqimi mesdhetar kanë më pak gjasa të zhvillojnë demencë dhe përjetojnë rënie më të ngadalshme të funksioneve njohëse, sipas hulumtimeve të reja.
Një dietë e stilit mesdhetar mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për demencë – sidomos për ata që kanë rrezik gjenetik, sugjeron një studim i ri.
Demenca besohet se shkaktohet nga një kombinim faktorësh gjenetikë, stil jete dhe mjedisorë. Një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut gjenetik është një variant i gjenit APOE, i njohur si APOE4, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Të kesh një kopje të APOE4 trefishon rrezikun për sëmundjen e Alzheimerit, forma më e zakonshme e demencës. Ata që kanë dy kopje janë deri në 12 herë më të predispozuar për ta zhvilluar këtë sëmundje.
Por studimi, i botuar në revistën “Nature Medicine”, sugjeron se edhe faktorët gjenetikë mund të zbuten.
Ekipi kërkimor amerikan zbuloi se gjatë një periudhe 30-vjeçare, njerëzit që ushqeheshin sipas stilit mesdhetar – të pasur me perime, fruta, arra, drithëra të plota dhe me pak mish të kuq e të përpunuar – kishin më pak gjasa të zhvillonin demencë dhe përjetonin rënie më të ngadalshme të kujtesës e aftësive njohëse. Përfitimet ishin më të forta tek personat me dy kopje të variantit APOE4.
Ekipi analizoi të dhënat nga mbi 4,200 gra dhe gati 1,500 burra për më shumë se tre dekada. Ata ndoqën zakonet ushqimore afatgjata të pjesëmarrësve, mostrat e gjakut dhe të dhënat gjenetike, si dhe kryen teste të rregullta njohëse për një grup më të vogël personash.
Studiuesit zgjodhën të përqendrohen te dieta mesdhetare sepse hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ajo ndihmon mirëqenien mendore dhe funksionimin e trurit në moshë të shtyer. /Gazeta Shneta/


