Njerëzit mund të kapërcejnë rrezikun e tyre gjenetik për diabetin e tipit 2 përmes dietës së shëndetshme dhe stërvitjes së rregullt, thotë një studim i ri.
Një mënyrë jetese e shëndetshme ul rrezikun e diabetit të tipit 2 me 70% në mesin e një grupi njerëzish me gjasa të larta gjenetike për të zhvilluar çrregullimin metabolik, zbuluan studiuesit shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Studimi tre-vjeçar përfshiu gati 1000 burra të moshës 50 deri në 75-vjeç në Finlandën Lindore. Më shumë se 600 nga burrat morën udhëzime për një mënyrë jetese të shëndetshme, ndërsa pjesa tjetër shërbeu si grup kontrolli.
Rreziku gjenetik u përcaktua bazuar në 76 variante të gjeneve të njohura të cilat rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2, thanë studiuesit.
Megjithatë, gjatë studimit as pjesëmarrësit dhe as studiuesit nuk e dinin se cilit grup rreziku i përkiste secili individ.
Burrat që merrnin udhëzimet për stilin e jetës përmirësonin ndjeshëm cilësinë e dietës së tyre, tregojnë rezultatet. Ata hanin më shumë fibra, fruta, perime dhe yndyrna të shëndetshme. Mes tjerash, burrat gjithashtu mbanin zakone të mira të stërvitjes dhe priren të humbnin peshë, tregojnë rezultatet.
Në mesin e atyre që morën këshilla për stilin e jetës, rreth 7.7% e meshkujve me rrezik të ulët gjenetik dhe 7.9% e meshkujve me rrezik të lartë përfunduan me zhvillimin e diabetit – pothuajse e njëjta përqindje.
Për krahasim, 8.2% e meshkujve me rrezik të ulët zhvilluan diabet në grupin e kontrollit kundrejt 14.1% të grupit me rrezik të lartë.
Studimi i ri u publikua së fundmi në “Journal of Clinical Endocrinology and Metabolism”.
Prova klinike “tregon se diabeti i tipit 2 mund të parandalohet ose vonohet nga një qasje me kosto të ulët, e bazuar në grupe, e cila fokusohet në dietën e shëndetshme dhe aktivitetin fizik te meshkujt e moshës së mesme dhe të moshuarit, veçanërisht te pjesëmarrësit me rrezik të lartë gjenetik për llojin e diabetit 2”, përfunduan studiuesit. /Gazeta Shneta/


