Një analizë e re sugjeron se ndjekja e një diete vegane me pak yndyrë mund të ulë ngarkesën acidike të ushqimit dhe të ndihmojë në humbjen në peshë.
Ngarkesa acidike dietike lidhet me ndikimin që ka ushqimi në ekuilibrin acid-bazë të trupit. Ngarkesa e lartë acidike mund të ndikojë negativisht në funksionin e veshkave, inflamacionin dhe shtimin në peshë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit nga “Frontiers in Nutrition”, analizuan të dhënat e një studimi të mëparshëm me të rritur mbipeshë, që kishin ndjekur për 16 javë një dietë mesdhetare dhe një dietë vegane me pak yndyrë. Pas një pauze 4-javore, grupet ndërruan dietën ushqyese. U mat ngarkesa acidike përmes dy sistemeve që marrin parasysh përbërjen ushqimore, peshën dhe gjatësinë.
Rezultatet treguan se ngarkesa acidike u ul ndjeshëm vetëm te dieta vegane. Në të njëjtën kohë, pjesëmarrësit humbën peshë — kryesisht yndyrë trupore — gjatë ndjekjes së dietës vegane, por jo gjatë dietës mesdhetare.
Sipas autores së studimit, Dr. Hana Kahleova, produktet shtazore si mishi, peshku, vezët dhe djathi rrisin aciditetin në trup dhe lidhen me inflamacion kronik që pengon metabolizmin. Në të kundërt, ushqimet bimore, që janë më alkaline, ndihmojnë në humbje peshe, ndjeshmëri më të mirë ndaj insulinës dhe tension më të ulët të gjakut.
Edhe pasi studiuesit përfshinë faktorët e marrjes së kalorive në analizë, lidhja mes uljes së ngarkesës acidike dhe humbjes në peshë mbeti e dukshme, sidomos në periudhën e dytë të studimit.
Studiuesit përfundojnë se për dallim nga dieta mesdhetare, dieta vegane me pak yndyrë ul ndjeshëm ngarkesën acidike dietike dhe kjo është e lidhur me humbje peshe, pavarësisht marrjes së energjisë. /Gazeta Shneta/


