Lista e vendeve që Mary Coales nuk do të donte të vizitonte sa vjen e zgjerohet. 63-vjeçarja nuk mund të shkojë në teatro, kinema, restorante, aeroporte apo parqe.
Madje edhe shëtitjet e zakonshme pranë shtëpisë së saj i shkaktojnë dhimbje të shumta, dhe për këtë ajo vesh një golf të trashë dhe del jashtë, pasi e ka të pamundur që të rrijë në shtëpi, ku gëlon teknologjia.
Ish-studentja e Kembrixhit dhe një pilote e aviacionit civil thotë se janë të pakta vendet ku ajo mund t’i shmanget rrezatimit nga rrjeti wireless apo valët e telefonave.
Si shumë njerëz, numri i të cilëve po rritet, ajo vuan nga një sindromë e quajtur Intoleranca e Hipersensivitetit Elektromagnetik, e thënë me fjalë të thjeshta, valët elektromagnetike e sëmurin atë.
Rreth 5 përqind e njerëzve në Britaninë e Madhe mendojnë se vuajnë nga e njëjta sëmundje, ndjeshmëri e lartë nga valët elektromagnetike të lëshuara nga pajisjet elektronike.
Sipas specialistëve, valët jojonizuese që rrezatohen nga celularët, televizioni, apo pajisje të tjera, nuk janë të dëmshme, por gjithsesi këta njerëz besojnë të kundërtën.
“Përpara se të zbuloja se vuaja nga kjo sindromë, nuk mendoja se mund të ekzistonte një sëmundje e tillë. Më dukej surreale që të vuaja nga një problem i shkaktuar nga teknologjia me të cilën kisha punuar për dhjetëra vite. Por dhimbja që ndjej është shumë e fortë, dhe më është dashur të ndryshoj gjithë mënyrën e jetesës për t’iu shmangur vendeve me rrezatim të lartë”, thotë Mary.
Frika që valët elektromagnetike mund të dëmtojnë shëndetin është rritur me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë, megjithëse ekzistojnë mendime të kundërta nëse është e dëmshme apo jo teknologjia.
Megjithatë në Britani është e pamundur t’u shpëtosh pikave ku ka wireless pasi janë 21 milionë të tilla në gjithë vendin.
“Kur nisa të kisha dhimbje të çuditshme në gojë, mendova se mos e kisha nga ilaçet, por pasi vura re që dhimbja rritej sa herë që kisha pranë laptopin, kuptova se kishte të bënte me valët elektromagnetike dhe fillova të eksperimentoja”, thotë Mary Coales.
Numri i personave që ashtu sikurse Mary vuajnë këtë sindromë është rritur tashmë ë 1 mijë veta në Britani, duke u shtuar çdo vit.
“Kam blerë një pajisje në Gjermani e cila kushtonte 100 dollarë, quhet Aaronia Shield dhe është e vetmja që mund të më mbrojë nga valët elektromagnetike”, thotë Mary.
Pavarësisht nëse vërtetohet apo jo sa të dëmshme janë valët elektromagnetike, numri i personave që kanë sindroma të ndryshme të shkaktuara prej tyre po rritet, njësoj si frika nga pajisjet e avancuara teknologjike.