Doktor Behar Kusarit, i dedikon një shkrim prekës vëllai binjak

2017-09-08 në ora 18:56

Nehat Kusari ka mbetur pa gjysmën e tij, vëllanë binjak. Atë, familjen dhe pacientët i la të enjten doktor Behar Kusari. Ai vdiq pas disa ditë qëndrimi në koma si pasojë e një sulmi në tru.

Themeluesi dhe drejtuesi i American Clinic, gjinekologu Kusari ka rënë në koma posa ka kryer një lindje. Me kujdesin e tij të jashtëzakonshëm, doktor Behari ka hequr beben nga barku i nënës, e ka vendosur në vend të sigurt dhe ka rënë përtokë, shkruan Insajderi, transmeton Gazeta Shneta.

Kusari, 59 vjeç ishte njëri prej mjekëve më të mirë në Kosovë. Mbi të gjitha është vlerësuar si humanist dhe njeri që secilit pacient pos kujdesit profesional i ka ofruar buzëqeshje dhe optimizëm shpirtëror.

Vëllai i tij binjak, Nehati i ka dedikuar një shkrim doktor Beharit duke sjell në pah anën e tij më njerëzore dhe humane.

Nehati ka treguar momentet kur doktor Behari ka kryer lindjen, ka peshuar beben dhe ka rënë pa vetëdije në dysheme.

Ky është dedikimi i Nehat Kusarit për vëllanë e tij, Behar Kusari:

Të dashur familjarë dhe miq

Dhembja e madhe erdhi. Iku Behari ynë. Dr. Behar Kusari. Humbja është e trishtueshme për ne dhe për ata që e njohën. Iku njeriu i qeshur që jetonte me përplot optimizëm. Iku beftë dhe padrejtësisht. Me ikjen e tij, vdekja i rrënoi të gjitha ëndrrat tona, përnjëherë. Të gjitha shpresat tona që u pashitën. Edhe dashurinë dhe dëshirat që ta kishim në mesin tonë edhe në këtë çast… Edhe në shumë çaste të tjera!

Ndërsa, Behari iku pa i thënë të gjitha ato që ne po i prisnim t’i thoshte. Që prisnim t’i bënte. Ato që po i prisnim nga ai ne si familjarë, apo dhe ne miqtë e tij. Ne që nuk iu shqitëm kurrë, me falënderimet dhe dashurinë e pashuar për të.

Behari, ndonjëherë, bënte gjithçka që ta kapërcente edhe kufirin e të mundshmes dhe të pamundshmes për ata që kishin nevojë për të. Dhe, kështu, ia doli që t’ua sillte gëzimin dhe dashurinë për jetën shumë njerëzve që kishin jetuar me ëndrra dhe pa shpresë. Ëndrra të cilat ai ua bëri realitet dhe që ua mbushi jetën me dashuri.

Behari iku. Iku, apo, ndoshta deshi të na thoshte se në jetë, derisa vdekja të mos vjen për ne, ne mund të jemi të shërbyeshëm për gjithë njerëzit, pa dallim!

Por ja – AI iku. Iku me jetën e këputur në mes të mesit. AI që na tregoi se edhe hapërimi përpara, sado i madh apo edhe i vogël të jetë, është një hapërim drejtë lirisë së shpirtit njerëzor dhe realizimit të qëllimeve tona. Drejt dashurisë për njerëzit. Është fatlum.

Ata që e njohën Beharin e dinë se AI ishte i guximshëm si njeri dhe i jashtëzakonshëm si mjek. Ishte model për shumëçka! Behari iku… Iku, ndërsa, rrugëtimin e amshimit e filloi mu aty ku edhe, mbase, po ta pyesnim, vetë do ta përzgjidhte atë fund: në një sallë operacioni, kur sapo kishte sjellë në jetë një foshnje të porsalindur dhe e kishte peshuar me dashurinë që nuk ka emër. Një çast mitik ndërmjet jetës që vinte dhe të asaj që po shuhet. Ç’mesazh!

Dr. Behar Kusari heshtur e la këtë botë. Një heshtje që nuk del nga karakteri i tij plot buzëqeshje, plotë jetë, plot shend, plotë dashuri dhe përplot optimizëm. Iku, por, mbeten gjurmët e dashurisë për njerëzit si dhe gjurmët e punës së tij të palodhshme dhe humane. Mbi të gjitha kujtimet e pashlyera të një biografie të pashoq njerëzore dhe intelektuale, për miqtë e shumtë si dhe për pacientët e tij që i respektoi deri në fund. E, atëherë kur mendimi shoqëror të krijohet në përmasa të dinjitetshme ndër ne, aq sa për t’i vlerësuar ata që bënë shumë për këtë vend dhe njerëzit e tij, s’do mend se edhe jeta dhe vepra e Dr. Behar Kusarit do të ndriçohen me flakadanin e

nderit, si një kolonë vertikalet, e përhershme, e që, patjetër do ta simbolizojë jetën dhe veprën e pashoq të tij. Të Dr. Behar Kusarit.

Pushofsh në paqe vëllau im binjak! /Gazeta Shneta/