Rreth 40 pacientë në dializë nga Suhareka udhëtojnë për në Prizren për të marr terapinë. Ndërsa në komunën e tyre donacioni me pajisje për këtë sëmundje pret të funksionalizohet që 5 vite
Në Komunën e Suharekës ka nisur ndërtimi i repartit të Hemodializës në oborrin e Qendrës Kryesore Familjare në vitin 2013. Pajisjet me 13 aparatura për dializë ishin sjellë nga Franca, me anë të një donacioni të mundësuar nga ish-studentët Samir Bytyqi dhe Labinot Reshani. Por dy vite më vonë projekti ishte ndaluar pasi Ministria e Shëndetësisë kishte arsyetuar se shërbimi i dializës sipas Ligjit nuk kryhet në nivelin parësor të shëndetësisë.
Me nisjen e projektit, ishin dërguar edhe dhjetë teknikë nga Suhareka në Spitalin e Prizrenit për t’u trajnuar për kryerjen e shërbimit të dializës. Por edhe trajnimi i tyre ishte ndërprerë pas ndërrimit të pushtetit nga AAK në LDK në vitin 2015, shkruan Gazeta Shneta.
Mjeku Samir Bytyqi, i cili në atë kohë kishte qenë i angazhuar në realizimin e donacionit me organizatën studentore MHIG, thotë se donacioni ka mbetur në depot e QKMF-së në Suharekë.
E tani që pushteti i takon sërish AAK-së, kryetari Bali Muharremaj, e hedh poshtë arsyetimin e MSH-së. Ai thotë se kur Komuna e Rahovecit ka funksionalizuar dializën, dhe pse nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe ata.
“Investimi në repart është bërë në vitin 2013 nga Komisioni Evropian, ndërsa donacioni i pajisjeve ishte mundësuar nga një student i yni në Francë. E dimë që nuk kemi të drejtë sipas ligjit, por këtë mund ta arrijmë në bashkëpunim me Spitalin e Prizrenit”, deklaron Muharremaj.
Ai thotë se për këtë problem është zotuar edhe gjatë fushatës dhe zotohet se do të përfundojë.
“Në programin tim ekziston ky problem dhe në bashkëpunim me Spitalin Regjional do ta realizojmë. Për mua është më mirë të vijnë dy mjekë nga Prizreni, sesa të shkojnë 40 pacientë atje”, ka shtuar Muharremaj.
Ai ka deklaruar se do të kërkojnë sërish donacione për ta funksionalizuar këtë shërbim, pasi nuk kanë mundësi me buxhetin që e posedojnë. /Gazeta Shneta/