Sektori i shëndetësisë në Kosovë po përballet me një krizë alarmante të mungesës së personelit mjekësor, teksa gjithnjë e më shumë profesionistë po emigrojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Sipas një raporti të ri të publikuar në vitin 2025 nga instituti evropian “Bruegel”, numri i profesionistëve të kujdesit shëndetësor nga Kosova që punojnë në sistemin gjerman të shëndetësisë është i barabartë me 50.3% të fuqisë punëtore shëndetësore në vend, shkruan Bruegel, transmeton Gazeta Shneta.
Kjo do të thotë se gjysma e stafit mjekësor të Kosovës tashmë ka emigruar. Ekspertët thonë se arsyeja kryesore është kërkesa e lartë për staf shëndetësor në Gjermani, e kombinuar me pagat shumë më të larta dhe kushtet më të mira të punës krahasuar me ato në Kosovë.
Sipas raportit, ky fenomen po prek edhe vendet e tjera të Ballkanit, si Bosnja e Hercegovina (42.5%), Shqipëria (29.5%) dhe Mali i Zi (13.9%), por Kosova renditet e para për përmasat e emigrimit.
Zyrtarët vendorë paralajmërojnë se nëse trendi vazhdon me këtë ritëm, sistemi shëndetësor i Kosovës mund të arrijë në pikën e kolapsit, me mungesë të theksuar mjekësh specialistë, infermierësh dhe teknikësh laboratorikë.
Ekspertët kërkojnë masa urgjente, si rritje të pagave, investime në kushte pune dhe programe motivuese për kthimin e mjekëve nga diaspora, për të ndalur largimin e mëtejshëm të profesionistëve shëndetësorë. /Gazeta Shneta/





