Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK Dr. Merita Emini-Sadiku, ka ligjëruar mbi komplikimet e diabetit tip 2 tek pacientët e trajtuar në nivelin terciar në Kosovë.
Këtë ligjëratë Emini-Sadiku e ka mbajtur në Tel Aviv në Izrael, e cila është organizuar nga Ministria izraelite e Shëndetësisë, transmeton Gazeta Shneta.
Në këtë konferencë Kosova është përfaqësuar nga zv.ministri Arsim Berisha, Faik Hoti, Albana Begaj dhe Linda Çarkaxhiu.
Lexoni njoftimin e plotë:
Ishte nder dhe kënaqësi të merrja pjesë në Forumin Rajonal të Ekspertëve në Fushat e Diabetit dhe Obezitetit në Tel Aviv, Izrael. Si ligjeruese e ftuar nga Prof.Raz, prezantova “Komplikimet kronike të diabetit tip 2 në nivelin terciar shëndetësorë të Kosovës”.
Në këtë konferencë, Republika e Kosovës u përfaqësua nga z. Arsim Berisha, Zëvendësministër i Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti nga Departamenti për Zhvillim Strategjik të Kujdesit Shëndetësor, unë, dr. Albana Begaj, endokrinologe e re dhe dr. Linda Çarkaxhiu, Specialiste e Mjekësisë Familjare.
Morën pjesë shumë ekspertë të fushës së diabetologjisë, obezitetit dhe nutricionit nga Mbretëria e Bahreinit, Republika Arabe e Egjiptit, Emiratet e Bashkuara Arabe, Republika Hashemite e Jordanisë, Republika Helene, Mbretëria e Marokut, Republika e Qipros dhe Republika e Kosovës.
Kjo konferencë u organizua nga Ministria për Bashkëpunim Rajonal e Shtetit të Izraelit, Ministria e Shëndetësisë e Shtetit të Izraelit dhe Këshilli Kombëtar i Diabetit i Shtetit të Izraelit.
Pjesëmarrja jonë në këtë konferencë të rëndësishme u mundësua përmes punës së vyer të ambasadores sonë në Jerusalem znj. Ines Demiri.