Skriningu neonatal tashmë ka filluar të zbatohet edhe në disa spitale rajonale të Kosovës, përveç QKUK-së.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Dr. Luan Morina, ka bërë të ditur se përveç Mitrovicës, edhe spitalet e Pejës, Prizrenit dhe Gjilanit kanë nisur realizimin e skriningut neonatal, shkruan Gazeta Shneta.
“Tashmë Mitrovica, Peja, Gjilani dhe Prizreni kanë filluar këtë projekt, ndërsa Gjakova është pajisur dhe shumë shpejt pritet të fillojë me marrjen e testeve të para”, u shpreh Dr. Morina.
Sipas tij, testimet po grumbullohen nga spitalet rajonale dhe më pas dërgohen në QKUK për procedim.
“Zakonisht e caktojmë një ditë brenda javës për grumbullimin e testimeve”, tha Dr. Morina.
Dr. Morina e ka cilësuar skriningun neonatal si një nga projektet më të rëndësishme të mjekësisë preventive, pasi mundëson diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të rënda te foshnjat.
“Skriningu neonatal është një nga projektet më të rëndësishme të mjekësisë preventive ku përmes këtyre testimeve arrijmë t’i diagnostikojmë sëmundjet para se ato të manifestohen”, theksoi Dr. Morina
Ai ka përmendur se përmes skriningut neonatal mund të identifikohen sëmundje si hipotiroidizmi kongjenital, galaktosemia, fibroza cistike dhe fenilketonuria.
Sipas Morinës, në QKUK nga janari deri në fund të prillit të këtij viti janë realizuar 2001 testime, ndërsa 16 raste kanë rezultuar të dyshuara dhe janë thirrur për ritestim.
“Prej gjitha këtyre rasteve, dy raste i kemi pozitive me fibrozë cistike”, tha ai./Gazeta Shneta/
LEXO EDHE:
Klinika e Neonatologjisë në QKUK trajtoi 1560 foshnje gjatë vitit 2025, sfidë mbetet prematuriteti




