Një shpërthim vdekjeprurës i hantavirusit në bordin e anijes turistike “MV Hondius” ka shkaktuar tre viktima dhe disa të infektuar, ndërsa autoritetet shëndetësore ndërkombëtare po hetojnë mënyrën se si virusi u përhap dhe pse u zbulua me vonesë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shpërthimi u zhvillua gjatë disa javëve, ndërsa anija po lundronte nga Argjentina drejt Antarktidës dhe më pas nëpër Atlantik, me ndalesa në ishuj të largët, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Anija, e operuar nga kompania holandeze Oceanwide Expeditions, kishte nisur udhëtimin më 1 prill nga jugu i Argjentinës, me rreth 140 pasagjerë dhe ekuipazh nga disa shtete të botës.
Rasti i parë u shënua më 6 prill, kur një shtetas holandez 70-vjeçar, ku sëmur me temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe simptoma të tjera.
Ai ndërroi jetë më 11 prill në bordin e anijes, ndërsa shkaku fillestar i vdekjes nuk u konfirmua menjëherë.
Në ditët dhe javët në vijim, raste të reja u raportuan mes pasagjerëve dhe ekuipazhit, përfshirë një grua gjermane që humbi jetën në bord dhe një shtetas britanik që ndodhet në gjendje të rëndë në kujdes intensiv në Afrikën e Jugut.
Një tjetër rast u konfirmua edhe në Zvicër, pasi një pasagjer që kishte zbritur nga anija rezultoi pozitiv me hantavirus.
Sipas të dhënave të OBSH-së, kaluan rreth tre javë deri në konfirmimin e parë laboratorik të infeksionit, duke bërë që shpërthimi të kuptohej vetëm pasi disa persona kishin ndërruar jetë.
Hantavirusi zakonisht përhapet përmes kontaktit me jashtëqitje të brejtësve të infektuar dhe në raste të rralla mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu, megjithatë rreziku për popullatën e gjerë konsiderohet i ulët.
Autoritetet shëndetësore në disa kontinente janë duke kryer gjurmimin e kontakteve dhe hetimin e burimit të infeksionit.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se infeksioni mund të jetë marrë para nisjes së lundrimit gjatë një ekskursioni në Ushuaia të Argjentinës, por ende nuk ka konfirmim zyrtar.
Ndërkohë, pasagjerët e mbetur në anije janë izoluar dhe po monitorohen nga ekipet mjekësore, ndërsa hetimet për shpërthimin vazhdojnë.




