Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK Dr. Jakup Ismajli, ka treguar gjendjen e tri grave shtatzëna të infektuara nga koronavirusi Covid-19.
“Janë tri gra shtatzëna të prekura nga koronavirusi, njëra është e hospitalizuar në Klinikën Infektive nga komuna e Vitisë dhe është në javën e 35-të të shtatzënisë. Është shtatzënia e tretë për të dhe dy lindjet e para i ka kryer me operacion cezarian”.
“Sot ishim në vizitë konziliare së bashku me Prof. Salih Ahmeti, gjendja e nënës dhe bebes është stabile dhe vendosëm që shtatzënia të vazhdojë së paku edhe 2 javë në mënyrë që foshnja të jetë në gjendje të jetojë jashtë mitrës”, ka treguar Ismajli në një intervistë për RTK-në.
Ai ka thënë se pacientja tjetër është nga Prishtina në javën 36-të, shtatzënia e tretë, dy lindjet e mëhershme i ka pasur normale. “Dje kam biseduar në telefon me të dhe për momentin nuk ka asnjë shqetësim dhe për çdo gjë mund të na kontaktojë neve”, ka thënë Ismajli.
Kurse pacientja e tretë është nga komuna e Shtimes në javën 25-26 dhe është në gjendje stabile.
Gjinekologu ka deklaruar se deri më tani nuk ka të dhëna shkencore nëse virusi mund të ndikojë tek fryti i nënës. “Në bazë të dhënave ende nuk është vërejtur se virusi nuk mund të ketë efekt kongjenital sepse nuk është vërejtur në indin placentar as në lëngun amniotik dhe as në qumësht. Prandaj me gjasë nuk ka ndikim në zhvillimin e frytit”, ka deklaruar Ismajli.
Ai ka treguar edhe për një rast të dyshuar të një gruaje shtatzënë e cila ka lindur dje në Klinikë. “Dje kemi pas një grua shtatzënë në javën e 39-të, është testuar dhe ka dal negativ. Lindja është kryer në repartin e izoluar dhe ka shkuar gjithçka mirë”, ka thënë Ismajli.
Drejtori i Klinikës ka folur edhe për gjendjen e tre gjinekologëve të infektuar me koronavirus, për të cilët ka thënë se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka thënë se mjekët nuk kanë pasur kontakt me gruan e infektuar nga koronavirusi, e cila ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme. /Gazeta Shneta/