Drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QKUK Dr. Tefik Bekteshi, e ka quajtur “keqmenaxhim të tmerrshëm” situatën në këtë institucion.
Bekteshi ka deklaruar se menaxhmenti i QKUK-së i ka suprimuar shërbimet tjera të cilat sipas tij nëse vazhdon kështu do të kollabojë, shkruan Gazeta Shneta.
“Jemi në një sitatuatë pandemie por mendoj se është një keqmenaxhim i tmerrshëm pasi po suprimohen të gjitha resurset tjera. Jemi në një nivel ku do të kollabojmë dhe nuk do të mund të absorbojmë njerëz me infarkt akut sepse nuk vdiset vetëm nga Sars-Cov-2, por të gjitha sëmundjet tjera janë prezentë. Nuk duhet t’i suprimojmë të gjitha shërbimet dhe t’i nënshtrohemi pandemisë”, ka deklaruar Bekteshi në rtk.
“Jam i zhgënjyer në menaxhimin apo keqmanxhimin e sistemit shëndetësor që momentalisht është duke ndodhur një gjë që nuk e kam prit. Në 3-4 vitet e kaluara ka pas lëvizje, por për t’u shkatërruar aq shpejt as në kushtet e luftës nuk do të ndodhte kjo”, ka thënë ai.
Bekteshi është përzgjedhur në pozitën e drejtorit të Kardiokirurgjisë në kohën e ish-drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu. Bekteshi dhe Sejdiu janë të dënuar nga Gjyqi i Nderit i Odës së Mjekëve për përdorimin e vulës së kardiologut në kundërshtim me licencën e punës të internistit.
Një nga arsyet e shkarkimit të Sejdiut nga pozita e drejtorit të përgjithshëm ka qenë edhe ky vendim i Gjyqit të Nderit të OMK-së, ndërkaq Bekteshi vazhdon të mbetet në pozitën e udhëheqësit të Shërbimit kardiokirurgjik. /Gazeta Shneta/