Lars Fruergaard Jørgensen, i cili ka udhëhequr gjigantin farmaceutik që nga viti 2017, iu bashkua kompanisë në vitin 1991.
Gjiganti danez i farmaceutikës, kompania Novo Nordisk, po i jep lamtumirën drejtorit të tij të përgjithshëm mes konkurrencës së shtuar për barnat e tyre të famshme për humbje peshe, Wegovy dhe Ozempic, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Lars Fruergaard Jørgensen, që e ka drejtuar kompaninë për tetë vite, do të japë dorëheqjen për shkak të “sfidave në treg” dhe rënies së çmimit të aksioneve të kompanisë gjatë vitit të kaluar.
Në mars, aksionet e kompanisë ranë me 27 për qind, duke shënuar performancën më të keqe mujore në më shumë se dy dekada. Javën e kaluar, kompania uli parashikimet për rritjen e shitjeve dhe fitimit operativ për vitin 2025.
Me kurset aktuale të këmbimit, rritja e shitjeve për këtë vit pritet të jetë nga 13 për qind në 21 për qind, krahasuar me udhëzimin e mëparshëm prej 16 për qind deri në 24 për qind. Kompania parashikon një rritje të fitimit operativ prej 16 për qind deri në 24 për qind, më e ulët se diapazoni i mëparshëm prej 19 për qind deri në 27 për qind.
Rivali amerikan Eli Lilly ka qenë një nga konkurrentët më të fortë të Novo Nordisk. Në prill, kjo kompani njoftoi rezultate premtuese të hershme për një tabletë ditore për humbje në peshë, e cila mund të bëhet alternativë ndaj injeksioneve si Wegovy dhe Ozempic.
Presionet financiare e shtynë Fondacionin Novo Nordisk, një organizatë bamirëse që kontrollon kompaninë farmaceutike, të kërkonte largimin e Jørgensen.
“Duke marrë parasysh sfidat e fundit në treg, rënien e çmimit të aksioneve dhe dëshirën e Fondacionit Novo Nordisk, Bordi i Drejtorëve të Novo Nordisk dhe Lars Fruergaard Jørgensen kanë përfunduar së bashku se fillimi i një procesi pasues për CEO-n është në interesin më të mirë të kompanisë dhe aksionarëve të saj,” thuhet në deklaratën e kompanisë. /Gazeta Shneta/




