Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, Ilaz Kadrijaj, në një bisedë për Gazetën Shneta ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë pasur mungesë të disa produkteve Lista Esenciale pasi nuk janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë. Kadrijaj ka qenë më i rezervuar sa i përket mungesave të barnave, derisa ka thënë se komuna vitin e kaluar e ka rritur buxhetin për barna.
“Sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale nga MSH, kemi qenë të furnizuar si të gjitha QKMF-të tjera. Vitin që lamë pas kemi pasur fatin që buxheti për barna nga komuna të dyfishohet nga 60.000 në 124.000 euro, ku një falënderim i takon edhe Kryetarit të Komunës Dr. Qemail Aliut pasi që edhe vetë është mjek”, tha drejtori Kadrijaj.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se janë përballur me disa mungesa në furnizim të disa barnave nga Lista Esenciale.. Kadrijaj tha se vendimi për pezullimin e ampullës së Omeprazolit ka qenë rezultat i dyshimeve për efekte anësore, por tani është vërtetuar se çdo gjë është në rregull pas analizave shtesë.
“Edhe ne si çdo QKMF tjetër kemi pas mungesa në furnizim nga Lista Esenciale e Barnave nga Ministria e Shëndetësisë, kryesisht kemi pas mungesë të sir Amoxicilin 250/5ml, amp. Chloropyramine 10mg/ml dhe amp.Omeprazol 40mg, pasi që kjo ampullë me vendim te AKPPM-së është pezulluar për një kohë të caktuar derisa iu janë bërë disa analiza shtesë sepse është dyshuar për disa efekte anësore, e kjo ka marrë kohë derisa u vërtetua se çdo gjë është në rregull”, tha ai.
Në lidhje me furnizimin me insulin dhe vaksina, drejtori përmendi se kishin një furnizim të rregullt pa mungesa gjatë vitit 2023.
“Sa i përket furnizimit me insulin dhe vaksina furnizimi ka qenë i rregullt dhe asnjëherë nuk kemi pas mungesë të tyre përgjat vitit 2023, ndërsa furnizimi me material shpenzuese ka qenë shumë mirë, një mungesë që vlenë të ceket ka qenë mosfurnizimi me kanilla nr 22 dhe 24”, u shpreh drejtori.
Ai informoi gjithashtu se kishin pasur mungesa në staf për shkak të specializimeve, por para një muaji kishin rekrutuar 4 mjekë dhe 4 infermierë.
“Sa i përket stafit, kemi pasur mungesa për shkak të specializimit, ku vetëm nga QKMF-ja kanë marrë specializim 7 mjekë. Mirëpo, para një muaji kemi rekrutuar 4 mjekë dhe 4 infermierë. Në këtë muaj jemi në procedurë të marrim edhe 3 mjekë të tjerë”, tha Kadrijaj.
Në fund ai jepi një lajm të rëndësishëm për pacientët.
” Këtë vit pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e QKMF-së së re, një investim ky nga Ministria e Shëndetësisë dhe me ndërtimin e saj do të rregullohen kushtet më të mira, si për staf ashtu edhe për ofrimin e shërbimeve shumë më cilësore për pacient”, tha në fund drejtori i Qednrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, Ilaz Kadrijaj. /GazetaShneta/