Drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi ka shpenzuar mbi 1 mijë euro për udhëtime zyrtare vitin e kaluar.
Elvir Azizi në korrik të vitit të kaluar erdhi në pozitën e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Nga korriku deri në dhjetor Azizi pati udhëtime zyrtare për çka ai shpenzoi mbi 1 mijë Euro të buxhetit të SHSKUK-së.
Kjo është konfirmuar nga shefi i sektorit për Buxhet dhe Financa në SHSKUK, Sherif Bytyqi. Fillimisht ai i është përgjigjur Gazetës Shneta me një total të shpenzimeve për vitin 2023. Në këtë total përfshiheshin edhe shpenzimet e ish-zv.drejtoreshës Narqize Arenliu.
“Te nderuar, ju njoftojm se shpenzimet e drejtorit te pergjithshem te SHSKUK per vitin 2023 znj.Narqize Arënliu dhe z.Elvir Azizi kanë qenë ne Shumen prej 1.145.83€,dhe ate janë shpenzime te udhtimeve zyrtare”, thuhet në përgjigjen e parë të Bytyqit.
Pas kërkesës së Gazetës, Bytyqi ka sqaruar se Arenliu kishte shpenzuar 90 Euro. “Te nderuar, shpenzimet e drejtoreshes Narqize kanë qenë 90.00€ ndersa te Drejtorit Elvir Azizi kanë qenë 1.055.83€”, thuhet në përgjigjen e dytë të Bytyqit.
Gazeta ka kërkuar qasje edhe në shpenzimet e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, por nuk kanë kthyer përgjigje përmes adresës elektronike. Shefi i financave Enver Gashi i cili është edhe anëtar i Bordit, ka thënë se përveç shpenzimeve për mbledhjet e Bordit, nuk kanë realizuar shpenzime tjera jashtë institucionit. /Gazeta Shneta/




