Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Prof. Naser Ramadani ka dhënë disa porosi për qytetarët sot në një paraqitje në emisionin “Zyra e ankesave” në RTV Dukagjini.
Ramadani ka thënë se masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit duhet të vazhdojnë edhe pas datës 13 prill, kur masat e Qeverisë pritet të shfuqizohen për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Po kështu këto masa duhet të vazhdojnë edhe në datën 1 maj kur është festa e punëtorëve e cila në Kosovë shënohet nëpër parqe të ndryshme sikurse është Gërmia. Ramadani është pyetur me shaka nëse qytetarët mund të pjekin flija për festën e 1 majit.
“Flijat mund të përgatiten kudo dhe janë të mirëseardhura dhe ju bëftë mirë, por asesi të mos gatuhen në vende ku nuk ka distancë mbi 2 metra. Flijat mund të gatuhen edhe veres edhe në shtator edhe në çdo stinë të vitit dhe janë të mirëseardhur që të na ftojnë edhe neve”, ka thënë Ramadani, ndonëse ka shtuar se është në dietë.
Ramadani i ka lutur qytetarët që të mos luajnë rolin e epidemiologëve duke bërë iu bërë presion me pyetje të ndryshme dhe duke kritikuar Institutin se nuk po e kryen punën si duhet.
“Lutjen e mëngjesit e pata të na kursejnë nga pyetjet, sepse e kemi ndarë kohën për juve. Nëse ka diçka që doni të llogaritni, atëherë mateni distancën mes njëri-tjetrit”, tha ai.
Ramadani bëri të ditur edhe distancën të cilën duhet ta mbajnë qytetarët me njëri-tjetrin në varësi prej aktivitetit që bëjnë.
“Nëse gjatë kësaj kohe pandemie, ju merreni me matematikë atëherë mateni distancën mes njëri-tjetrit. Keni parasysh që në varësi prej aktivitetit edhe distanca duhet të mbahet më e madhe. Nëse jeni duke ndenjur do të duhej të kishit distancë 1 metër, nëse ecni 2 metra, nëse vraponi 5 metra, ndërsa nëse ngisni biçikletën, distanca duhet të jetë 10 metra”, tha Ramadani. /Gazeta Shneta/