Drejtori i Klinikës së Radiologjisë në QKUK Dr. Bujar Gjikolli e ka pranuar se ka gabuar kur i kishte përcaktuar principet për aplikimin e kontratit ‘Clariscan’ tek pacientët. Ai madje ka pranuar se ka pasur edhe pasoja tek pacientët, por ka tentuar t’ia hedh fajin kompanisë e cila e ka bërë furnizimin.
Një skandal për të cilin ka raportuar Gazeta Shneta në dhjetor të vitit të kaluar lidhur me aplikimin e kontrastit ‘Clariscan’ në Klinikën e Radiologjisë, e ka konfirmuar vet drejtori i kësaj klinike Dr. Bujar Gjikolli. Në fakt ka qenë Gjikolli i cili i kishte vendosur gabimisht principet për aplikimin e kontrastit tek pacientët.
Në gusht të vitit të kaluar drejtori i Klinikës së Radiologjisë në QKUK Dr. Bujar Gjikolli me një letër zyrtare ku është njoftuar edhe drejtori i SHSKUK-së, ka vendosur principet bazë të aplikimit të kontrastit paramagnetik sipas peshës trupore për kabinetin e Rezonancës Magnetike.
Në bazë të tabelës së vendosur nga Gjikolli, specialistëve në MRI iu kërkohet që të aplikojnë 1ml kontrast për 10 kg peshë trupore deri 10 ml për 100 kg peshë trupore. “Minimumi i sasisë së kontrastit paramagnetik të aplikuar është: 0.1 ml kontrast për 1 kg peshë trupore”, thuhet në këtë vendim të Gjikollit, shkruan Gazeta Shneta.
Por ky veprim i tij ishte gabim profesional dhe skandaloz për faktin se u dashtë të evitohet vetëm pasi reagoi operatori ekonomik. Madje specialistët e Radiologjisë për shkak të këtij gabimi, morën edhe një leksion nga ky operator duke i mësuar se si të përdorin kontrastin sipas udhëzimeve të Agjencisë Evropiane të Barnave: 0.1mmol/kg peshë trupore që në ml është 0.2 ml për peshë trupore. Për këtë skandal Gazeta ka raportuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Rreth një muaj pas raportimit të këtij rasti, Gjikolli e ka pranuar vet gabimin në një intervistë për Ekonomiaonline. Ai ka thënë se kontrasti ‘Clariscan’ është kontrast i ri i prodhuar në vitin 2017. Sipas tij nuk kanë pasur informacione për përdorimin e tij, por nuk ka treguar pse nuk i janë përmbajtur udhëzuesit të produktit. Apo nëse produkti nuk ka pasur udhëzues, atëherë pse ka lejuar përdorimin e tij.
“Nuk kemi pas informata dhe kemi kërkuar nga kompania por nuk na ka sjellë asnjëherë. Ne kemi vazhduar të punojmë me kujdes me principet e vjetra me të cilat klinika jonë ka punuar në 20 vitet e kaluara derisa nuk vijnë informatat zyrtarisht nga kompania”, ka deklaruar Gjikolli duke tentuar t’ia hedh fajin kompanisë furnizuese.
Por në fakt kompania furnizuese ‘Amicus LLC’ i kishte dërguar një letër SHSKUK-së, ku i kërkonte që urgjentisht të largoheshin principet e Gjikollit dhe klinika t’i përmbahej udhëzuesit të produktit për injektim tek pacientët.
Gjikolli e ka pranuar se kanë marr vërejtje nga kompania dhe ka thënë se brenda 2 ditësh i kanë ndërruar principet. “Kur erdhi informata nga operatori ekonomik atëherë ne brenda dy ditësh e rregulluam atë dhe doli se ne kemi dhënë më pak”, ka deklaruar Gjikolli duke pranuar gabimin e tij.
Ai po pretendon se me këtë veprim nuk e ka rrezikuar jetën e askujt pasi kontrasti nuk është produkt i rrezikshëm. Por Gjikolli nuk ka folur për pasojat që mund të kenë pasur pacientët si pasojë e cilësisë së dobët të imazheve për shkak të sasisë së ulët të kontrastit. Rrjedhimisht ai nuk ka treguar nëse diagnostikimi i pacientëve është bërë gabim apo jo.
Gjithsesi Gjikolli ka pranuar se kontrastet paramegnetike, i tillë çfarë është edhe ‘Clariscan’, kanë shkaktuar pasoja tek pacientët skuqje dhe frymënxënie, por sipas tij nuk ka pasur raste të rënda.
Por në fakt sipas Shoqatës së Radiologëve të Amerikës Veriore, kontrastet mund të rrezikojnë jetën e pacientëve dhe ky është një nga shqetësimet më të mëdha të radiologëve aktualisht në botë. Kontrastet me bazë jodin ose gadoliniumin mund të kenë efekte kërcënuese edhe për jetën dhe një nga këto efekte është rënia e funksionit të veshkës. (Klikoni KËTU për më tepër detaje)
Madje Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka ndaluar përdorimin e disa agjentëve linearë të kontrastit gadolinium për ekzaminimin e trurit me MRI pasi është konstatuar se një sasi e tij depozitohet dhe mbahet në tru. Ky lloj kontrasti është ndaluar për përdorim edhe në Kosovë vitin e kaluar.
Ndërsa kontrasti ‘Clariscan’ i prodhuar nga “GE” i cili është përdorur në rastin e Radiologjisë në QKUK, është paramagnetik me bazë gadoliniumin por është makrociklik dhe i njëjti lejohet për përdorim në BE dhe në Kosovë. /Gazeta Shneta/