A duhet ta zhys fëmijën në ujë për t’ia ulur temperaturën

2019-01-28 në ora 15:36

Zakonisht jo. Nëse fëmija në moshë parashkollore ka temperaturë poshtë 39 gradë dhe ha apo sillet si zakonisht, nuk keni nevojë të bëni asgjë për t’ia ulur temperaturën.

Në fakt, meqë temperatura mund ta ndihmojë fëmijën të luftojë ndonjë infeksion, do të ishte mirë ta linit të bëjë punën e vet. Sigurisht, nëse temperatura e fëmijës rritet, kjo gjë ju shqetëson (sidomos nëse ka patur ndonjë krizë febrile më parë) sikurse dhe fëmijën.

Nëse fëmija vërtet nuk ndjehet rehat (për shembull nuk mund të flejë) dhe temperatura e tij është 39 gradë ose më e lartë, atëherë do të sugjeroja që t’i jepni dozën e duhur të acetaminofenit ose ibuprofenit për t’ia ulur temperaturën në mënyrë që fëmija dhe ju të mund të pushoni.

Nëse medikamenti për uljen e temperaturës nuk është një opsion i duhur për fëmijën tuaj — sepse është alergjik ndaj tij ose nuk e përballon mirë medikamentin, ose nëse ju nuk doni t’ia jepni — atëherë një banjë me ujë të vakët ose me një sfungjer nuk i bën dëm dhe mund të ndihmojë për uljen e temperaturës.

Larja e fëmijës me temperaturë ka qenë praktikë në kohërat kur ende nuk kishte medikamente për ulje të temperaturës.

Thjesht sigurohuni që uji të jetë i vakët, jo i ftohtë, sepse të dridhurat mundet të rrisin temperaturën e fëmijës në vend se të ndihmojnë për t’ia ulur. Mund të vëreni se fëmijës i pëlqen t’ia vendosni mbi ballë një copë të njomur me ujë të freskët.

Njëherë e një kohë shpëlarjet me alkool kanë qenë të popullarizuara, mirëpo nuk rekomandohen më, pasi mund ta freskojnë shumë shpejt fëmijën tuaj, gjë që mund ta bëjë t’i rritet temperatura në mënyrë të rrezikshme.

Kini gjithashtu parasysh se po ta mbështillni fëmijën, edhe kjo mund t’ia rrisë temperaturën, pra nëse përpiqeni t’ia ulni temepraturën, mos e mbuloni kokë e këmbë.