Dy gra të moshës 50 dhe 36 vjeçare janë në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e gripit që aktualisht është përhapur në Kosovë. Dy pacientet gjenden në kujdesin intensiv të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mjeku në Klinikën Infektive Valbon Krasniqi tha se në këtë Klinikë që nga muaji dhjetor trajtim mjekësor me grip sezonal kanë marr rreth 14 pacientë. Krasniqi derisa ka folur për gjendjen e dy pacientëve që janë në repartin intensiv tha se në Klinikë aktualisht trajtim mjekësor po marrim 3 pacientë, njëri prej tyre fëmijë i cili po trajtohet në repartin e Infektivës.
Infektologu Krasniqi tha se prej të gjitha rasteve në muajin dhjetor ka vdekur një person i moshuar, i cili ka qenë i prekur edhe nga sëmundjet tjera.
“Aktualisht në këtë moment që po flasim ne në Klinikë kemi të shtrirë vetëm tre pacientë që janë të konfirmuar të prekur nga gripi sezonal, është një fëmijë që është duke u trajtuar në repart, dhe janë dy të rritur të dyja të gjinisë femërore, të dyja në gjendje të rëndë shëndetësore. Mirëpo njëra është e intubuar e lidhur për aparat nuk mund të marr frymë vetë. Ndërkaq edhe tjetra është po ashtu në intenzivë, por momentalisht nuk është e intubuar. Rasti më i ri që është në gjendje të rëndë është pranuar parmbrëmë e lindur në vitin 1981 nga regjioni i Prizrenit dhe ajo dje na është konfirmuar që e ka gripin. Që nga fillimi i sezonit ose rastet e para kur janë konfirmuar në dhjetor ne në Klinikën Infektive kemi pasur gjithsej të shtrirë diku 13, 14 raste”, tha Krasniqi.