Nga java tjetër pritet që Klinika e Kardiologjisë dhe ajo e Kardiologjisë Invazive të fillojnë punën 24-orëshe në javë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili nëpërmjet një postimi në Facebook. Kjo është hera e parë që këto dy klinika do të punojnë me orar 24 orësh, shkruan Gazeta Shneta.
“Duke i trajtuar rastet e tilla në çdo kohë, ne do t’i ulim shpenzimet e qytetarëve, do të ndalim dërgimin e tyre jashtë QKUK-së dhe, çfarë është më e rëndësishmja, do të përfitojmë në kohë që problemet e tyre kritike të trajtohen menjëherë”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka thënë se në bashkëpunim me stafin e dy klinikave janë duke u bërë përgatitjet që puna të nis nga java tjetër.
“Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro jashtë vendit për trajtimin e sëmundjeve të kësaj natyre. Sot, qytetarët tanë do t’i trajtojmë në Kosovë, kurse paratë do t’i përdorim për modernizimin e klinikave tona”, ka deklaruar ministri.
Për shkak të mungesës së trajtimit të infraktit dhe vendosjes së stentave në QKUK, para disa viteve pati dalë skandali i njohur si “Stentat”.
Në këtë rast janë të përfshirë mbi 60 persona, disa mjekë dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 4 milionë euro duke dërguar pacientët në spitalin privat IMH dhe EDA. /Gazeta Shneta/