Feja është njëra nga arsyet pse familjarët nuk lejojnë t’iu kryhet autopsia pacientëve të vdekur në Qendrën Klinike Universitare. Vitin e kaluar janë kryer vetëm shtatë sosh
Ariana Ismaili
Instituti i Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kryen rreth 10 mijë biopsi brenda një viti. Por këtë numër kaq të lartë nuk e kanë edhe për autopsi, të cilat janë në minimum. Kjo për disa arsye, por më e shpeshta është feja.
Drejtori i Institutit, Dr. Ramadan Sopa, deklaron se numri i autopsive nga 30 sosh para disa viteve, ka rënë në vetëm 7 vitin e kaluar. Ai thotë se ka disa arsye për këtë, por më e shpeshta është tradita fetare ku familjarët i referohen besimit se “Zoti e ka shkruar të vdesë”, raporton Gazeta Shneta.
“Tek ne ka ndikuar edhe feja, besimi islam që të varrosen menjëherë, e të mos kryhen autopsi si traditë nga vendet islame”, ka deklaruar Sopa. Ai ka kritikuar edhe mjekët të cilët i rekomandojnë familjarët që t’i dërgojnë të vdekurit në morg, e jo në Institut.
“Mjekët në shumë raste e dinë pse ka vdekë pacienti prandaj vetëm në raste të aksidenteve i drejtojnë tek ne për autopsi”, ka sqaruar ai. Megjithatë, Sopa këshillon familjarët që të njihen me shkakun dhe gjenezën e sëmundjes e cila ka çuar në vdekje familjarin e tyre.
Por e njëjta gjë nuk ndodh edhe në vendet tjera të zhvilluara. Mjeku thotë se në shtetet me traditë shkollimi të mirëfilltë, kufomat mund të përdoren edhe për studim, çka është një mangësi e madhe për studentët në Kosovë.
“Në vendet që kanë shkollim të lartë, studentët i studiojnë kufomat, e tek ne studentët lexojnë, shohin organet por jo trupin, e kjo i hendikepon”, ka thënë Sopa.
Sopa ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e sallave për punë dhe mungesën e reagensëve të cilët mundësojnë kryerjen e biopsive. Ai thotë se patologjitë më të shpeshta janë kanceri i gjirit dhe mushkërive, ndërsa më të rrallat tumoret në lëkurë. Megjithatë, ai thotë se gjendja nuk është e tillë për t’u shqetësuar me numrin e këtyre patologjive. /Gazeta Shneta/