Janë publikuar disa e-maila zyrtar të Qendrës Operative Emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë ku mjekët e Qendrës së Studentëve kishin kërkuar vizitë nga një psikolog ose psikiatër për 26-vjeçarin e ndjerë Agon Musliu.
Më datën 3 maj një email nga Valdet Hashani ishte dërguar në QOE ku kërkonte vizita specialistike për katër persona të karantinuar, përfshirë edhe 26-vjeçarin Agon Musliu, shkruan Gazeta Shneta.
“Të nderuar, pas vizitave mjekësore të ekipit mjekësor në Karantinën QS, pacientët e poshtëshënuar kanë shfaqur shqetësime dhe kanë kërkuar konsulencë specialistike”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Hashani në orën 16:34.
Rreth gjysmë ore më vonë një kërkesë për vizitë urgjente nga neuropsikiatri për Musliun, kishte ardhur edhe nga Qendra Operative e Gjilanit.
“Të nderuar, Agon Musliu, ne konviktin nr. 7, kati 4, i lindur me 30.12.1994, është kthyer dje nga Gjermania. Ju kërkojmë urgjentisht, nëse keni mundësi ju si shtab i emergjencave në Prishtinë, të kontrollohet nga neuropsikiatri, sepse është depresiv. Presim konfirmimin tuaj”, thuhet në e-mailin e Qendrës Operative Emergjente e Gjilanit.
Ndërkaq QOE kishte reaguar me rreth gjysmë ore vonesë duke përcjellë kërkesën e njëjtë tek ekipet mjekësore në Qendrën Studentore.
“Të nderuar, sipas kërkesës së mëposhtme, ju njoftojmë se kemi përcjell kërkesën me angazhim të ekipeve mjekësore në Karantinën e Qendrës Studentore”, thuhet në përgjigjen e Qendrës Operative Emergjente – Ministria e Shëndetësisë e dërguar në orën 17:31 minuta. Por tashmë ishte vonë pasi 26-vjeçari kishte rënë nga kati i pestë duke humbur jetën.
Kujtojmë se rastin është duke e hetuar Prokuroria Themelore e Prishtinës, ndërsa janë shtuar zërat që kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe atij të punëve të brendshme Xhelal Sveçla. /Gazeta Shneta/