Shumica e prindërve të rinj padashje i vënë foshnjat e tyre në rrezik, duke mos vendosur në mënyrë të rregullt ulësen e tyre, kanë paralajmëruar ekspertët.
Kur ulëset e bebeve përdoren pa gabime atëherë fëmijët mbrohen nga vdekjet dhe lëndimet deri në 71 për qind, shkruan Daily Mail.
Sipas një studimi nga Universiteti i Shkencës dhe Shëndetësisë në Oregon thuhet se rreth 95 për qind e prindërve bëjnë së paku një gabim gjatë instalimit të ulëseve, transmeton Koha.net. Prej tyre 91 për qind janë gabime që mund të shkaktojnë lëndime serioze.
“Ulëset e sigurisë së bebeve janë shumë më të vështira që të përdoren korrekt se sa që është dashur të jenë”, ka thënë Benjamin Hoffman, hulumtues i këtij studimi.
Dr. Hoffman dhe ekipi i tij u kishin kërkuar 291 familjeve që të vendosnin foshnjat e tyre në ulësen e bebeve në makinë, dhe nëse nuk i kishin vënë tashmë, atëherë u kërkonin që t’i vendosnin ulëset.
Teknikë të certifikuar të sigurisë së makinave pastaj bënin vlerësimin e pozicionimit dhe instalimin e ulëses, duke vënë në dukje dhe duke korrigjuar të gjitha gabimet.
Studimi ka vërtetuar se gabimet më të zakonshme përfshinin rripin e lirshëm, dhe instalimin e ulëses në makinë, vendosja e gabueshme poshtë gjoksit, dhe mbështetjen në këndin e pasaktë.
Para se të largoheshin nga spitali rreth 15 për qind e familjeve punonin me ekspertët e certifikuar për sigurinë në makinë, dhe kanë mësuar për instalimin e ulëses. Por, prej tyre rreth 83 për qind kishin së paku një gabim gjatë përdorimit.
Ekspertët kanë sugjeruar që duhet të punohet më tepër me teknikët e certifikuar për të mësuar saktë vendosjen e ulëses.