Mjekët, infermierët dhe punëtorët tjerë shëndetësorë kanë mbetur pa rritje të pagave pasi Gjykata Kushtetuese vendosi sot që të shtyjë pezullimin e Ligjit të Pagave deri më 30 qershor 2020.
Legjislatura e kaluar e Kuvendit të Kosovës e pati miratuar Ligjin e Pagave në muajin shkurt të vitit 2019 dhe kishte vendosur për zbatimin e tij nga data 1 dhjetor. Por zbatimi u pezullua me një vendim të Gjykatës Kushtetuese pas ankesës së Avokatit të Popullit. Kushtetuesja e vendosi datën 31 mars 2020 si afatin e fundit për të marr një vendim përfundimtar mbi këtë ligj, shkruan Gazeta Shneta.
Por tashmë edhe ky afat është shtyrë pasi Kushtetuesja sot e ka njoftuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin se masa e përkohshme për Ligjin e Pagave është vazhduar deri më 30 qershor 2020.
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek mjekët të cilët sipas këtij ligji do të paguheshin me koeficient 5.0 që në vlerë monetare i bie 1200 euro, përgjysmë më shumë sesa paguhen aktualisht me rreth 600 euro në muaj. Aq më tepër që ky vendim i Kushtetueses vjen në kohën kur mjekët po përballen me situatën e rënduar nga koronavirusi Covid-19.
Oda e Mjekëve të Kosovës ka dal me një reagim të ashpër ku vendimin e quan të turpshëm nga zyrtarë që janë komod dhe rehat nëpër fotelet e tyre në kohën kur stafi mjekësor po lufton për jetën e qytetarëve. Kujtojmë se deri më tani Covid-19 ka prekur 2 mjekë dhe pesë infermierë.
“Përkundër poshtërsimit, denigrimit dhe diskriminimit që është duke iu bërë, profesionistët shëndetësor nuk do të dezertojnë nga lufta për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, të gjithë ata që janë përgjegjës për zvarritjen dhe mosvendosjen për këtë çështje, i mbuloftë turpi dhe poshtërimi. Rehatia dhe komoditeti nëpër fotelet autoritare, pagat katërcifërore, ua kanë humbur arsyen, humanitetin dhe dinjitetin. TURP”, thuhet në reagimin e kryetarit të OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu.
“Apelojmë tek i gjithë spektri institucional, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, që kësaj lënde t’i jep prioritet dhe njëkohësisht ta shqyrtojë zgjatjen e masës së përkohshme duke e koncentruar atë vetëm në pjesët kontestuese për të cilat është iniciuar çështja në fjalë”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se në fund të vitit 2018 dhe fillim të vitit 2019 sindikata dhe kirurgët e QKUK-së patën organizuar greva të ndara ku kërkonin rritjen e pagave. /Gazeta Shneta/