Ekspertë gjermanë të kompanisë Munich Health Daman Holding, i kanë bërë një analizë sistemit shëndetësor të Kosovës, si donacion nga Abu Dhabi.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se dokumenti-analizë ka të bëjë me ndërtimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ku jepen rekomandime dhe parashihen hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse.
Njoftimi i plotë i MSH-së:
Përfaqësues të kompanisë Munich Health Daman Holding (MHDM) që është një kompani e përbashkët publiko- private në mes Kompanisë së sigurimeve shëndetësore nacionale të Abu Dhabit (UAE) dhe Munih Health, pjesë e Munich Re, që është grupi kryesor i sigurimeve globale nga Gjermania, prezantuan sot në Ministrinë e Shëndetësisë një dokument-analizë lidhur me sistemin shëndetësor në Kosovë, në kontekst të bashkëpunimit të planit të MSh-së për ndërtimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Hartimi i këtij dokumenti (analize) të bërë nga ana e ekspertëve të kësaj kompanie, është kryer falas, si donacion i Abu Dhabi (UAE) për ndërtimin e infrastrukturës së spitaleve dhe ndihmesës për ngritjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë.
Analiza-dokumenti i hartuar nga ekspertët e MHDM përshkruan bazën aktuale të sistemit shëndetësor në Kosovë, rekomandime për implementimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren nga autoritetet ekzekutive në Kosovë, duke filluar nga Qeveria, MSh-ja, agjencitë e deri të spitalet dhe institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor.
Dokumenti, gjithashtu, përshkruan edhe mekanizmat e ndërtimit të Fondit dhe aspekte të tjera që lidhen me funksionalizimin e tij, ofruesit e shërbimeve në dy sektorët, resurset, indikatorët dhe rolet që duhet t’i luajnë aktorët përgjegjës për funksionalizimin e Fondit.
Ministri Imet Rrahmani e ka vlerësuar si dokument shumë të rëndësishëm analizën e ekspertëve gjermanë dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në hapat e tjerë, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe ushtrimin e përgjegjësive për sigurimin shëndetësor të obligueshëm nga ana e Fondit.