Zyrtarët shëndetësorë të SHBA-së, njoftuan se ndërsa varianti Omicron i koronavirusit po përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin, indikacionet e hershme sugjerojnë se mund të jetë më pak i rrezikshëm se Delta, e cila vazhdon të shkaktojë një rritje të shtrimeve në spital.
Këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden, Dr. Anthony Fauci, tha për “State of the Union” të burimit CNN, se shkencëtarët kanë nevojë për më shumë informacione përpara se të nxjerrin përfundime në lidhje me ashpërsinë e variantit të ri Omicron, përcjell Gazeta Shneta.
Raportet nga Afrika e Jugut, ku u shfaq dhe po bëhet lloji dominues, sugjerojnë se normat e shtrimit në spital nuk janë rritur në mënyrë alarmante.
“Deri më tani, nuk duket se ka një shkallë të madhe ashpërsie për të,” tha Dr. Fauci. “Por ne me të vërtetë duhet të jemi të kujdesshëm përpara se të bëjmë ndonjë përcaktim se është më pak i rëndë ose nuk shkakton vërtet ndonjë sëmundje të rëndë, të krahasueshme me Delta-në.”
Omicron ishte zbuluar në rreth një të tretën e shteteve të SHBA-së deri të dielën, duke përfshirë në verilindje, jug, rrafshinat e mëdha dhe bregun perëndimor. Wisconsin, Missouri dhe Luiziana ishin ndër shtetet më të fundit që konfirmuan rastet. /Gazeta Shneta/