Një studim i ri ka zbuluar se ekspozimi për rreth një dekadë ndaj niveleve të ulëta të arsenikut në ujin e pijshëm – edhe kur ato janë nën kufirin rregullator prej 10 µg/L të vendosur nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në SHBA – mund të rrisë rrezikun e sëmundjes ishemike të zemrës me rreth 20%. Arseniku, një gjysmë metal pa erë dhe pa shije, prej kohësh njihet si një ndotës me pasoja serioze për shëndetin kardiovaskular.
Sipas burimit Health News, studimi i publikuar në “Environmental Health Perspectives” sugjeron se rreziku i sëmundjeve të zemrës rritet ndjeshëm pas ekspozimit afatgjatë, veçanërisht gjatë një periudhe prej dhjetë vitesh.
Këto gjetje përputhen me një studim të mëparshëm në Kili, i cili tregoi rritje të vdekshmërisë nga infarkti i miokardit një dekadë pas ekspozimit të lartë të arsenikut, transmeton Gazeta Shneta.
Hulumtimi thekson se komunitetet hispanike dhe ato me status më të ulët socio-ekonomik janë më të prekura, shpesh duke përdorur furnizime me ujë ku nivelet e arsenikut janë më të larta se mesatarja. Kjo ngrit shqetësime të reja për drejtësinë mjedisore dhe qasjen e barabartë në ujë të sigurt.
Autorët e studimit bëjnë thirrje për rishikimin e standardeve aktuale dhe për më shumë kërkime që do të ndihmojnë në kuptimin e plotë të rrezikut që paraqet arseniku në sistemet e ujit të komunitetit.
Përveç efekteve kardiovaskulare, arseniku është klasifikuar si kancerogjen për njerëzit dhe lidhet me disa lloje kanceresh, si ai i fshikëzës, mushkërive, lëkurës dhe veshkave.
Ekspozimi i tij mund të shkaktojë gjithashtu probleme jo kancerogjene, përfshirë ndryshime të lëkurës, shqetësime gastrointestinale, mpirje të gjymtyrëve dhe madje paralizë të pjesshme. /Gazeta Shneta/


