Kemajl Emini nuk e ka mohuar se i biri i tij është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë si kandidat nga komunitetet, por ai ka thënë se djali i tij është regjistruar në komunë si mysliman.
Emini, i cili është drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt në një deklaratë për Gazetën Shneta nuk e ka mohuar se djali i tij Learti është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në mesin e kandidatëve nga komunitetet të cilat kanë disa vende të rezervuara.
Emini ka thënë se i biri i tij është regjistruar si mysliman në komunën ku jeton. Ai ka thënë se djali i tij nuk është pranuar e as regjistruar si goran, ashtu siç është raportuar në disa media.
“Djali im pasi ka mbushur 18 vjet ka kërkuar t’i ndërrohet regjistrimi dhe të bëhet mysliman meqë është fetar. Këtë e ka bërë me vullnetin e tij ndonëse pa dëshirën tonë. Ai i fal pesë vaktet e namazit dhe ka dëshiruar të identifikohet si mysliman”, ka deklaruar Emini.
Ai ka thënë se djali i tij nuk është regjistruar si goran, sikurse kanë raportuar mediat.
“Nuk është e vërtetë që është regjistruar si goran. Ai është regjistruar si mysliman. Djali jeton me neve në familje”, ka deklaruar Emini.
Fakulteti i Mjekësisë ka publikuar rezultatet e kandidatëve të pranuar në gjeneratën e re të studentëve të shkencave mjekësore.
Për këto rezultate janë adresuar edhe disa pakënaqësi të tjera ku ndër të tjera edhe për fëmijë të profesorëve e drejtuesve të Fakultetit të Mjekësisë të cilët janë pranuar në konkurs. /Gazeta Shneta/