Organizata “Gjysmëhëna e Kuqe”, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka financuar një kat shtesë urologji-kirurgji< me vlerë prej 300 mijë euro, në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed”
Ariana Ismaili
Spitali i qytetit të Vushtrrisë prej sot ka edhe një kat shtesë të repartit të kirurgjisë me sipërfaqe prej 400m2, dhe me kapacitet prej 15 shtretër më shumë. Ceremonia e inaugurimit u mbajt sot ku u falënderua organizata “Gjysmëhëna e Kuqe” që po sjellë investime të reja në këtë spital.
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, u shprehë se shpreson që të ketë edhe të tjera donacione, jo vetëm në Vushtrri, por edhe në spitalet e qyteteve tjera të vendit, shkruan Gazeta Shneta.
“Ky është një shembull shumë i mirë që kanë gjetur vendin tonë për investime, shpresojmë për të tjera donacione dhe jo vetëm në këtë qytet”, ka deklaruar Ismaili. Edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka falënderuar donatorët e këtij investimi, duke bërë të ditur se komuna, është gjithmonë e gatshme për të mbështetur nevojat e këtij Spitali.
“Jemi falënderues ndaj ‘Gjysmëhënës së Kuqe’ për investimet e vazhdueshme, spitali i Vushtrrisë është shembull, dhe ne si komunë jemi të gatshëm për të mbështetur zhvillimet dhe nevojat e këtij spitali”, ka thënë Tahiri. Ndërsa përfaqësuesi i “Gjysmëhënës së kuqe” ka thënë se ndjehet i lumtur për investimet që kanë sjellë në këtë spital. “Jam i lumtur për këtë investim pasi shëndetësia është më me rëndësi, kemi bërë shumë punë për të lënë gjurmë këtu, ndjehemi mirë që na i kanë vlerësuar këto investime”, ka thënë ai.
Ky spital tashmë është pajisur me aparaturë moderne dhe shërbime të reja, e kjo sipas drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, ndikon edhe në punën e QKUK-së, pasi pacientët nuk do të dërgohen drejtëpërdrejtë në QKUK, sepse kapaciteti në këtë spital është i mjaftueshëm.
“Shërbimet të cilat do të kryhen këtu, lehtësojnë edhe punën e QKUK në përgjithësi, pasi pacientët nuk ka nevojë të udhëzohen për atje”, ka deklaruar Sejdiu. Ndërsa, drejtori ekzekutiv i këtij spitali, Dr. Hajrullah Saraqi ka thënë për Gazetën Shneta se kanë bërë kërkesën më herët për shtretër të rinj, sepse 11 shtretër që ky repart posedonte nuk ishin të mjaftueshëm.
“Në kemi kërku për këtë investim, dhe tashmë puna na mbetet neve, kemi staf të mjaftueshëm ndërsa së shpejti do të furnizohemi edhe me barna”, ka thënë Saraqi.
Kujtojmë se ky spital u rinovua në dhjetor të vitit 2016, i financuar me 7 milion euro nga Emiratet e Bashkuara Arabe. /Gazeta Shneta/