Endokrinologët shënuan Ditën e Diabetit me simpozium dhe mirënjohje për kontribuuesit

2021-11-12 në ora 22:06

Me rastin e 14 nëntorit, Ditës Botërore  të Diabetit, në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë së Kosovës, është zhvilluar Simpoziumi  i Diabetologjisë, i organizuar nga Klinika e Endokrinologjisë dhe Shoqata e Endokrinologëve të Kosovës.

Për rëndësinë e kësaj dite dhe për aktivitetet e organizuar foli, Merita Emini- Sadiku, u.d. drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK.

Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se ShSKUK, e ka obligim dhe përgjegjësi të avancojë më tutje shërbimet për pacientë që kanë nevojë. “Diabeti si sëmundje  gjithandej botës është sfidë e  mileniumit të ri, bashkë me sëmundjet e tjera bashkëkohore”

Duke përgëzuar profesionistët për punën që kanë bërë deri më tani, drejtori Krasniqi shtroi nevojën e një bashkëpunimi edhe më të mirë ndërmjet individëve, familjes, medieve dhe shtetit, në të mirë të edukimit të popullatës.

Ai ka falënderuar të gjithë profesionistët shëndetësorë në tërë Kosovën,  që kanë kontribuar dhe po kontribuojnë në këtë fushë, por edhe në trajtimin dhe menaxhimin e rasteve me Covid-19.

Apeli i drejtorit të ShSKUK-së, për të  gjithë popullatën ishte  për vaksinim kundër Covid-19,  e në veçanti  për prindër që të vaksinojnë fëmijët nga 12 deri në 18 vjet.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se ka qenë e paraparë që në kuadër të Kongresit të Mjekëve, temë qendrore të jetë trajtimi i diabetit dhe qasja multidisiplinare, por për shkak të gjendjes me Covid-19,  kjo është shtyrë për vitin e ardhshëm.  Poashtu, ai foli për rolin dhe rëndësinë që ka qasja dhe edukimi në drejtim të parandalimin dhe trajtimit të diabetit.

Fjalë rasti mbajti edhe Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, i cili foli për rëndësinë e përdorimit të barnave dhe efekteve që mund të ketë përdorimi i tyre, duke vënë theksin edhe në 100 vjetorin e zbulimit të insulinës, e cila përdoret për trajtim të sëmunjdes së diabetit.

Në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë për avancimin e shërbimeve endokrinologjike, u ndanë mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në këtë fushë.