Evropa Perëndimore po përballet me shpërthimin më të madh të difterisë në 70 vitet e fundit, sipas një studimi të publikuar në New England Journal of Medicine.
Që nga viti 2022 janë regjistruar 536 raste, përfshirë tri vdekje, kryesisht te migrantët e sapoardhur nga Afganistani dhe Siria.
Studimi tregon se infektimi ka ndodhur gjatë udhëtimit apo në vendet e akomodimit në Evropë, e jo në vendet e origjinës.
Difteria është një infeksion bakterial shumë ngjitës që mund të jetë fatal në rreth 30% të rasteve te personat e pavaksinuar, veçanërisht fëmijët, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Sipas ekspertëve, bakteri që po qarkullon aktualisht në Evropë tregon lidhje gjenetike me një variant të zbuluar në Gjermani në vitin 2022, çka sugjeron se ai po përhapet në mënyrë të heshtur.
Autoritetet shëndetësore theksojnë nevojën për programe të forta vaksinimi dhe ndërhyrje më të mëdha për të mbrojtur grupet më të rrezikuara si migrantët dhe të pastrehët, përmes vetëdijesimit, diagnozës së hershme dhe ofrimit të vaksinave e trajtimeve me antibiotikë./Gazeta Shneta/


