Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po detyron autoritetet të marrin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët nga temperaturat rekord. Nga hapësirat publike të ftohura në Holandë deri te biletat falas për kinema në Francë, vendet evropiane po kërkojnë mënyra kreative për të përballuar vapën ekstreme.
Sipas BBC-së, në Amsterdam po krijohen pika të posaçme freskimi në biblioteka, qendra komunitare, teatro, kisha dhe supermarkete, ku qytetarët mund të pushojnë, të pinë ujë dhe të shmangin temperaturat e larta. Edhe shkollat po përshtaten duke shkurtuar orarin mësimor, duke shtuar pushimet dhe duke përmirësuar ajrosjen e klasave, transmeton Gazeta Shneta.
Në Francë, disa komuna po ofrojnë bileta falas për kinema me ajër të kondicionuar për të rinjtë dhe të moshuarit. Ndërkohë, është rritur kërkesa për një pluhur të bardhë që përzihet me ujë dhe lyhet mbi dritare për të reflektuar rrezet e diellit dhe për të ulur temperaturën brenda banesave.
Spanja ka ulur ose hequr tarifat e hyrjes në pishinat publike në disa qytete. Shatërvanët dekorativë po funksionojnë deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa në hapësira të ndryshme janë aktivizuar spërkatës me ujë për të freskuar kalimtarët. Për shkak të rrezikut të zjarreve, disa qytete kanë anuluar fishekzjarrët dhe ndezjen tradicionale të zjarreve festive.
Në Itali, qeveria ka rikthyer masat mbështetëse për punëtorët e ekspozuar ndaj vapës, duke lejuar pezullimin ose reduktimin e aktiviteteve në temperatura ekstreme.
Autoritetet shëndetësore kanë këshilluar qytetarët të konsumojnë më shumë ujë dhe ushqime të lehta, si makaronat, në vend të mishit.
Belgjika po përgatitet për ditët më të nxehta të javës, ndërsa disa trena të vjetër pa ajër të kondicionuar janë tërhequr përkohësisht nga qarkullimi. Në një rast të veçantë, nxënësit në një periferi të Brukselit zhvilluan provimet brenda një kishe për shkak të temperaturave më të ulëta.
Ndërkohë, Gjermania po përballet me rrezik në rritje të zjarreve pyjore dhe autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes gjatë notit pas disa rasteve të mbytjes. Shërbimet postare madje kanë rekomanduar përdorimin e pantallonave të shkurtra për punonjësit që punojnë jashtë.
Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten në shumë pjesë të kontinentit, Evropa po teston një gamë të gjerë masash për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të zbutur pasojat e vapës ekstreme. /Gazeta Shneta/


