Farmakologu Prof. Ass. Dr. Elton Bahtiri ka dhënë disa sqarime në lidhje me përdorimin e produkteve Ibuprofen ose Paracetamol në rast të simptomave të koronavirusit.
Bahtiri ka thënë se Ibuprofeni e përmirëson pasqyrën klinike në rast të infeksioneve respiratore, por ka studime që ky produkt mund të rris lirimin e partikulave virale nga qelizat e infektuara. Megjithatë për këto gjetje nuk ka ende studime specifike dhe definitive për koronavirusin Covid-19, transmeton Gazeta Shneta.
“Ndonëse Ibuprofeni mund të jetë më efikas në menaxhimin e simptomave (kollës dhe temperaturës së ngritur trupore) të COVID-19, Paracetamoli është alternativë më e sigurtë kur kërkohet vetëm ulja e temperaturës së ngritur trupore”, ka shkruar farmakologu Bahtiri.
Lexoni shkrimin e tij të plotë:
Kontribut i vogël profesional në debatin Ibuprofen vs. Paracetamol për menaxhim të simptomave të COVID-19
Shkruan:
Prof. Ass. Dr. Elton Bahtiri,
Specialist i Farmakologjisë klinike
Ibuprofeni e modulon përgjigjen imune dhe definitivisht e përmirëson pasqyrën klinike në rast të infeksioneve respiratore akute duke përfshirë ato virale, por ka studime që indikojnë që në këto raste barnat anti-inflamatore josteroide (ang. NSAID)- ku bën pjesë dhe Ibuprofeni- e rrisin lirimin e partikulave virale të reja nga qelizat e infektuara (ang. Viral shedding) me implikime pasuese në mbajtjen nën kontroll të infeksionit viral. Këto gjetje vijnë nga hulumtimet në infeksione tjera virale ndërsa për shkak të urgjencës dhe kufizimeve në menaxhimin e gjendjes akoma nuk ka studime specifike dhe definitive në COVID-19.
Përveç kësaj, me rastin e përshkrimit të NSAIDs për qetësim të simptomave të infeksioneve respiratore akute duhet marrë parasysh gjendjen shëndetësore aktuale por dhe barnat që mund të jetë duke i marrë pacienti për sëmundjet tjera bashkëshoqëruese. Ka publikime shkencore që konkludojnë se NSAIDs mund t’a rrisin rrezikun për infarkt akut miokardi gjatë infeksioneve respiratore akute virale. Grupacioni i njerëzve me probleme shëndetësore të zemrës tashmë është identifikuar si më i rrezikuari në rast të COVID-19.
Për fund, ndonëse Ibuprofeni mund të jetë më efikas në menaxhimin e simptomave (kollës dhe temperaturës së ngritur trupore) të COVID-19, Paracetamoli është alternativë më e sigurtë kur kërkohet vetëm ulja e temperaturës së ngritur trupore.