Symbravo mund të eliminojë shpejt dhimbjen e migrenës brenda dy orësh, me efektivitet të qëndrueshëm deri në 24 dhe 48 orë, pavarësisht nga ashpërsia e dhimbjes së migrenës.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka aprovuar Symbravo (meloxicam dhe rizatriptan) për trajtimin akut të migrenës me ose pa aurë tek të rriturit, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Migrena me aurë është një lloj i migrenës që shoqërohet me simptoma neurologjike që shfaqen përpara ose gjatë dhimbjes së kokës. Këto simptoma, të quajtura aurë, zakonisht zgjasin nga 5 deri në 60 minuta dhe mund të përfshijnë:
Shqetësime vizuale – pika të ndritshme, zigzage, njolla të errëta ose humbje e pjesshme e shikimit.
Ndjesi të pazakonta – mpirje ose shpime në duar, këmbë ose në njërën anë të fytyrës.
Vështirësi në të folur – vështirësi në formimin ose kuptimin e fjalëve.
Simptoma të tjera neurologjike – si marramendje ose ndjenja e humbjes së ekuilibrit.
Pas aurës, zakonisht ndodh dhimbja e kokës, e cila shpesh është pulsuese dhe mund të shoqërohet me nauze, të vjella, ndjeshmëri ndaj dritës (fotofobi) dhe tingujve (fonofobi). Jo të gjithë pacientët me migrenë përjetojnë aurë – kur migrena ndodh pa këto simptoma paraprake, quhet migrenë pa aurë.
Aprovimi i barit, u bazua në rezultatet e tre studimeve klinike të fazës 3, të cilat përfshinë më shumë se 21,000 episode të migrenës.
Në studimin MOMENTUM, i cili trajtoi migrenën me intensitet të moderuar dhe të rëndë të dhimbjes, bari Symbravo tregoi një përqindje statistikisht më të lartë të pacientëve që arritën lirimin nga dhimbja dhe nga simptoma e tyre më shqetësuese (fotofobia, fonofobia, nauzea) dy orë pas marrjes së dozës, krahasuar me placebon.
Për shumë pacientë, përfitimet e lehtësimit nga dhimbja u mbajtën deri në 24 dhe 48 orë. /Gazeta Shneta/


