Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka njoftuar tërheqjen nga tregu të mbi 580 mijë shisheve të ilaçit për tension të gjakut prazosin hydrochloride, për shkak të pranisë së papastërtive kimike të quajtura nitrosamina, të cilat konsiderohen potencialisht kancerogjene.
Tërheqja është bërë vullnetarisht nga kompania Teva Pharmaceuticals dhe distributori Amerisource Health Services, pasi gjatë testimeve u zbulua se disa doza të ilaçit – 1 mg, 2 mg dhe 5 mg – mund të përmbanin këto substanca të dëmshme, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Sipas FDA-së, nitrosaminat mund të formohen gjatë procesit të prodhimit të ilaçeve ose si pasojë e kontaktit me materialet e paketimit. Këto kimikate, në nivele të larta dhe me ekspozim afatgjatë, lidhen me rritjen e rrezikut për zhvillimin e kancerit.
Prazosina përdoret kryesisht për trajtimin e hipertensionit, duke ndihmuar në relaksimin e enëve të gjakut, por mjekët e përshkruajnë ndonjëherë edhe për qëllime të tjera.
FDA e ka klasifikuar këtë tërheqje si rrezik të klasës II, që nënkupton pasoja të përkohshme ose të kthyeshme shëndetësore, me mundësi të vogël për efekte serioze.




