Makthet mund të jenë shumë të frikshme për fëmijët, duke ua prishur gjumin dhe duke shtuar ankthin gjatë ditës. Tani, një model i ri terapeutik del të jetë premtues duke i mësuar fëmijët si të përballen dhe t’i mposhtin vetë makthet e tyre.
Metoda e re, është prezantuar në revistën shkencore “Frontiers in Sleep”. Sipas studiuesve, kjo qasje i ndihmon fëmijët të kuptojnë pse makthet përsëriten dhe si mund të ndërpritet ky cikël.
Sipas burimit Health Day, ekspertët shpjegojnë se shpesh nuk është vetëm makthi problemi kryesor, por mënyra se si fëmija reagon ndaj tij.
Frika për të fjetur përsëri, shqetësimi para gjumit dhe stresi pas zgjimit mund ta mbajnë gjallë problemin. Për këtë arsye, terapistët nuk fokusohen vetëm te ëndrra e keqe, por edhe te mendimet, emocionet dhe sjelljet që lidhen me të, transmeton Gazeta Shneta.
Në bazë të nevojave të secilit fëmijë, krijohet një plan i personalizuar trajtimi. Disa fëmijë mund të kenë nevojë për ndihmë për uljen e ankthit para gjumit, ndërsa të tjerë për përmirësimin e zakoneve të gjumit, si orari i rregullt dhe ambienti i qetë në dhomë.
Një pjesë e trajtimit mund të përfshijë edhe terapi ekspozimi. Fëmija përshkruan, vizaton ose shkruan makthin e tij dhe më pas, me ndihmën e terapistit, mëson ta ndryshojë rrjedhën e ëndrrës në mendjen e vet, duke e bërë më pak kërcënuese.
Studiuesit theksojnë se elementi më i rëndësishëm është vetëbesimi i fëmijës. Kur ai ndjen se mund të kontrollojë makthet, përfitimet shkojnë përtej gjumit më të mirë: më shumë energji, përqendrim më i mirë në shkollë dhe sjellje më pozitive në shtëpi.
Ekspertët nënvizojnë se makthet e përsëritura nuk duhen neglizhuar, sidomos kur shkaktojnë shqetësim të vazhdueshëm. Me mbështetjen e duhur, fëmijët mund të mësojnë t’i kapërcejnë ato me sukses. /Gazeta Shneta/


