Mbi 130 pacientë të sëmurë me fibrozë cistike sërish kanë mbetur pa barna.
Kështu ka bërë të ditur Ismet Jahiri nga Shoqata për Fibrozë Cistike, i cili përmes një letre publike dërguar ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi, ka kërkuar që të bëhet furnizimi i institucioneve publike, shkruan Gazeta Shneta.
Jahiri ka thënë se pacientët me këtë sëmundje po vazhdojnë të neglizhohen, dhe kësisoj jeta e tyre po rrezikohet.
“Mungesa e Creon në doza të ndryshme në spitalin e pediatrisë edhe pse është furnizuar nga project-hope në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë është në mungesë dhe rrezikon jetën e fëmijëve”, ka deklaruar Jahiri në letrën e tij drejtuar Latifit.
Ai ka bërë thirrje që të bëhet furnizimi sipas Listës së re Esenciale të Barnave, e cila parasheh furnizimin edhe me barna tjera.
“Kërkojmë dhe mbetemi me shpresë në konsideratën e Institucioneve Shëndetësore, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë që të sigurohen barnat esenciale në bazë të marrëveshjes”, ka shkruar Jahiri. /Gazeta Shneta/