Muaji i gjashtë i vitit fillon me festë e aktivitete të ndryshme për fëmijët në të gjithë botën, pasi që një qershori është festa e fëmijëve dhe për nder të kësaj date zhvillohen aktivitete të ndryshme nëpër sheshe e shkolla.
Festës së një qershorit i munguan 142 fëmijë, të cilët këtë datë e shënuan brenda mureve të Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të problemeve shëndetësore.
Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Graiqevci, tregon se tre fëmijë janë në gjendje më të rëndë dhe janë në kujdesin intensiv.
“Dy fëmijë janë me probleme të trurit dhe një me ftohje në mushkëri”, tregon drejtoresha në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Për nderë të kësaj ditë ajo i uron të gjithë fëmijët të kenë shëndetë të plotë.
“Fëmijët të kenë shëndetin e plotë dhe t’i prinë fati gjatë tërë jetës. Klinika e Pediatrisë të ketë sa më pak fëmijë të hospitalizuar”, uron ajo.
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Policinë e Kosovës sot gjatë ditës kanë zhvilluar disa aktivitete me rastin e 1 Qershorit Ditës së Fëmijëve.
Aktivitete janë mbajtur në sheshin “Skenderbeu” në kryeqytet. /Gazeta Shneta/