Stili modern i jetesës ka bërë që njerëzit të kalojnë gjithnjë e më shumë kohë ulur — në punë, përpara televizorit apo gjatë udhëtimeve me makinë, tren ose avion. Ky qëndrim i zgjatur ndikon negativisht në funksionimin e enëve të gjakut dhe me kalimin e kohës, mund të rrisë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare si goditje në tru apo infarkt.
Një studim i ri tregon se ushqimet e pasura me flavanolë — antioksidantë që gjenden në bimë si kakaoja, çaji dhe disa fruta e perime — mund të ndihmojnë në përmirësimin e funksionit vaskular gjatë periudhave të qëndrimit ulur (jetës sedentare), shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Hulumtuesit nga Universiteti i Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar zbuluan se tek të rinjtë që konsumuan një pije me përmbajtje të lartë flavanolësh nga kakaoja, qarkullimi i gjakut në arteriet e këmbëve dhe krahëve mbeti më i mirë pas dy orësh uljeje, krahasuar me ata që konsumuan një version me pak flavanolë.
Sipas mjekut vaskular, Christopher Yi, ky studim ofron prova domethënëse mbi efektet biologjike të flavanolëve, por nevojiten kërkime më të gjera për të konfirmuar përfitime konkrete shëndetësore në afatgjate. /Gazeta Shneta/


