Nëna nga Peja Blerina Boqolli ka treguar se si iu vodh çanta në të cilën i kishte dokumentet e analizave dhe transplantit të palcës kurrizore të djalit të saj Idealit. Ajo ka treguar se më 20 janar do të udhëtojë në Turqi për të dërguar djalin për kontroll, por fatkeqësisht në çantën e vjedhur janë edhe dokumentet e udhëtimit
Ideali 3-vjecar në këto ditë të ftohta thuajse dy-tri herë në javë e merrte rrugën nga Peja për në QKUK bashkë me nënën e tij Blerinën. Qëllimi që kishin shkuar atje ishte që Ideali t’i merrte terapitë e t’i kryente kontrollet pranë mjekëve pediatër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Kjo pasi që 3-vjeçari ka më shumë se një muaj që është diagnostikuar me sëmundjen e leukemisë. Shërimin për të njëjtën e ka gjetur në Turqi, shtet ky në të cilin ata kanë planifikuar që të udhëtojnë me datë 20 të këtij muaji.
Por një ngjarje e rëndë i ka ndodhur nënës së Idealit. Asaj nga vetura që ishte parkuar në oborrin e Pediatrisë i janë vjedhur dy çanta. Çanta e saj personale dhe një çantë e llap topit në të cilën ajo e kishte lënë të gjithë dokumentacionin e djalit me të cilin do të nisen me 20 janar në Turqi.
Gazeta Express, ka kontaktuar me Blerinën, ajo ka shpjeguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.
“Unë bashkë me djalin sot në mëngjes u nisëm nga Peja për në Klinikën e Pediatrisë. Aty Ideali tash e një kohe i kryen kontrollet ngase është diagnostikuar me leukemi. E mora djalin nga vetura, i lash çantat, ngase djalin e kapa në krah, e mbështolla se ishte ftohët dhe u nisa drejtë klinikës”, thotë ajo.
Ajo tregon se për më shumë se gjysmë ore ka qëndruar pranë djalit i cili po i kryente kontrollet nga mjekët pediatër të QKUK’së.
“Qëndrova në klinikë për rreth 40 minuta. Më pas dola edhe e pash që çantat nuk janë aty. Unë një lutje e kam. Që vetëm dokumentacionet e djalit të mi kthejnë. Me datë 20 janar do ta dërgojmë në Turqi për shërim”, ka rrëfyer nëna e Idealit të cilës persona ende të panjohur ia vodhën sot çantat nga vetura.
E gjithë rastin kjo zonjë e ka paraqitur në Policinë e Kosovës.
Ndërkohë që për fatin e keq, në zonën ku asaj i janë vjedhur çantat nuk ka kamera të sigurisë. Kështu kanë deklaruar për Express zyrtarë të QKUK’së.
Të gjithë ata që kanë informacione dhe që hasin në dokmunete me emrin e Ideal Boqollit, të lajmërohen pranë qendër më të afërt në Polici ose në numrin e nënës së 3-vjecarit, Blerina Boqolli: 043555300