Qendra Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka përballuar një fluks të lartë pacientësh gjatë 24 orëve të fundit, ku janë realizuar gjithsej 292 vizita dhe 81 procedura reanimimi, sipas të dhënave të publikuara nga QKUK.
Sipas profilit të rasteve të trajtuara, 78 kanë qenë internistike, 50 kirurgjike dhe 59 ortopedike, ndërsa 24 pacientë kanë marrë trajtim në sallën e vogël të intervenimeve.
Gjatë kësaj periudhe, në Qendrën Emergjente është trajtuar edhe një person i lënduar nga armë e ftohtë, ndërsa 16 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas lëndimeve të pësuara në aksidente komunikacioni.
Për trajtim të mëtejmë spitalor janë pranuar 22 pacientë, prej të cilëve tetë janë shtruar në Klinikën e Kirurgjisë, tetë në Klinikën e Mjekësisë Interne, katër në Klinikën e Ortopedisë dhe dy në Mjekimin Intensiv./Gazeta Shneta/


