Viteve të kaluara, ishte e zakonshme që foshnjet që lindnin gjatë kësaj date historike t’iu vendoseshin emra patriotik.
Mirëpo, siç duket, tradita ka ndryshuar. Një grua e cila nuk ka dashur të identifikohej, vendosi që djalin e saj të mos e pagëzojë me emra të tillë, pasi që ajo këta emra po i cilëson si të “vjetër”.
Që nga dje pas orës 00:00 kur edhe nis të festohet 28 Nëntori, në Klikën Obstetrike Gjinekologjike në Prishtinë deri në orën 13:00 të pasdites së sotme kanë lindur gjithsej 13 foshnje.
Ndonëse kanë lindur pikërisht në festën e Flamurit, këta 12 fëmijë nuk janë pagëzuar me asnjë emër që do të simbolizonte ardhjen e tyre në jetë në këtë datë historike.
Zyrtarë nga Salla e Lindjes në klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, i kanë thënë të martën Expressit se te 12 lindjet e para në këtë ditë kanë kaluar pa ndonjë komplikim.
Nga 12 lindjet 9 foshnja kanë qenë meshkuj dhe 3 femra. Njëra nga foshnjat ka lindur me operacion.
Në repartin e klinikës Obstetrike Gjinekologjie në QKUK ku rrinë lehonat, asnjëra nga foshnjat nuk është pagëzuar me emrat të cilët e simbolizojnë këtë festë.
Anik, Klea, e Amara janë disa nga emrat me të cilët fëmijët që kanë lindur këtë 28 nëntor janë pagëzuar./Express/