Federata e Sindikatave të Shëndetësisë i ka bërë thirrje Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti që ta përfshijë Ligjin e Pagave në projektbuxhetin e ardhshëm.
“Nëse Ministria për Financa nuk bën planifikime buxhetore për Ligjin e pagave dhe Qeveria përkrah një ide të tillë, atëherë në tërë sistemin shëndetësor do të përsëritej situata e fundit e dhjetorit të vitit të kaluar, gjegjësisht bazuar në kërkesat e anëtarësisë do të ketë veprime sindikale në nivel vendi në të gjitha Institucionet Shëndetësore primare, sekondare dhe tërciare”, thuhet në letrën e FSSHK-së, transmeton Gazeta Shneta.
Letra e plotë:
I nderuar Z.Kryeministër,
Thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që me Projektligjin e buxhetit të ardhshëm të parashihet edhe Ligji i Pagave.
Ngatërrimet që ishin bërë pa qëllim mes Ligjit për zyrtarët publik dhe atij të Pagave te lajmi lidhur për zgjatjen e masës së pezullimit nga Kushtetuesja kanë krijuar tensione shtesë tek të gjithë anëtarësia e FSSHK-së. Tensionet janë shtuar edhe më tepër nga lajmi i shpërndarë, që urojmë të mos jetë i saktë, se Ministria e Financave duke përgatitur Projektligjin e buxhetit për vitin 2020 nuk do të planifikojë fare mjete për implementimin e Ligjit të pagave .
Nëse Ministria për Financa nuk bën planifikime buxhetore për Ligjin e pagave dhe Qeveria përkrah një ide të tillë, atëherë në tërë sistemin shëndetësor do të përsëritej situata e fundit e dhjetorit të vitit të kaluar, gjegjësisht bazuar në kërkesat e anëtarësisë do të ketë veprime sindikale në nivel vendi në të gjitha Institucionet Shëndetësore primare, sekondare dhe tërciare.
FSSHK-së ju drejtohet Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që duke planifikuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2020 të mos e harrojnë Ligjin e pagave, implementimin e të cilit më të drejtë e presin mijëra të punësuar në sektorin publik e mes tyre edhe ata në sektorin të shëndetësisë.
Mijëra anëtarë të FSSHK-së besojnë fuqishëm se Kushtetuesja do të jep ndonjë vërejtje, por Ligji i pagave do të nis së zbatuari dhe pastaj Parlamenti do të bëj përmirësimet, kërkojmë nga Ministria për Financa që të bëjë planifikime buxhetore për Ligjin e pagave dhe Qeveria të përkrah një ide të tillë.
FSSHK-ë do të jetë gjithmonë e gatshme në çdo kohë që të zhvilloj dialogun social për interesa të anëtarësisë së vet me Institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.