Për herë të parë në Kosovë, është funksionalizuar Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës .
Ky laborator ka nisur punën më 20 tetor 2025 në QKUK, duke shënuar një hap të madh drejt modernizimit të diagnostikës laboratorike në vend.
Që nga fillimi i punës, Laboratori ka zhvilluar me sukses aktivitetet e para diagnostike, duke validuar 9 parametra analitikë dhe përcaktuar 86 parametra në total, që mbulojnë fushat e monitorimit terapeutik të barnave (TDM) dhe detektimit të substancave abuzive (DOA).
Pacientët për analiza toksikologjike janë referuar nga disa klinika të QKUK-së, përfshirë Psikiatrinë, Emergjencën, Neurologjinë dhe Anesteziologjinë me Mjekim Intensiv, çka tregon rëndësinë praktike të këtij shërbimi në diagnostikën klinike.
“Në kuadër të planifikimeve për vitin 2026, Shërbimi i Toksikologjisë synon të zgjeroj gamën e parametrave analitikë dhe testimeve toksikologjike, duke përfshirë përmirësimin e kapaciteteve laboratorike dhe trajnimin e stafit, si dhe avancimin e infrastrukturës laboratorike dhe kapaciteteve analitike.” thuhet në njotimin e SHSKUK-së./Gazeta Shneta/




