Një gabim skandaloz që ka bërë drejtori i Radiologjisë në QKUK Bujar Gjikolli, nuk ka marr ende asnjë ndëshkim nga asnjë instancë. Gazeta ka mësuar se Gjyqi i Nderit i OMK-së do të mbaj seancë javën e ardhshme për këtë rast
Gazeta Shneta ka raportuar në dhjetor të vitit të kaluar për një skandal me pasoja potenciale ndaj pacientëve në Klinikën e Radiologjisë. Skandali kishte të bënte me injektimin e sasisë së kontrastit gjatë imazherisë me CT.
Drejtori i Klinikës Bujar Gjikolli kishte marr një vendim për sasinë e injektimit të kontrastit, i cili ishte gabim. Madje vet Gjikolli e kishte pranuar këtë gabim, por SHSKUK asnjëherë nuk ka marr masa për këtë rast. Madje ky institucion nën udhëheqjen e ish-drejtorit Basri Sejdiu e kishte arsyetuar gabimin e Gjikollit.
Në bazë të tabelës së vendosur nga Gjikolli, specialistëve në MRI iu kërkohej që të aplikojnë 1ml kontrast për 10 kg peshë trupore deri 10 ml për 100 kg peshë trupore. “Minimumi i sasisë së kontrastit paramagnetik të aplikuar është: 0.1 ml kontrast për 1 kg peshë trupore”, thuhej në këtë vendim të Gjikollit.
Por ky veprim i tij ishte gabim profesional për faktin se u dashtë të evitohet vetëm pasi reagoi operatori ekonomik. Madje specialistët e Radiologjisë për shkak të këtij gabimi, morën edhe një leksion nga ky operator duke i mësuar se si të përdorin kontrastin sipas udhëzimeve të Agjencisë Evropiane të Barnave: 0.1mmol/kg peshë trupore që në ml është 0.2 ml për peshë trupore.
Vet Gjikolli kishte deklaruar se këtë gabim e kanë përmirësuar pas reagimit të kompanisë e cila furnizonte QKUK-në me kontrast.
“Kur erdhi informata nga operatori ekonomik atëherë ne brenda dy ditësh e rregulluam atë dhe doli se ne kemi dhënë më pak”, pati deklaruar Gjikolli duke pranuar gabimin e tij.
Për këtë rast pati hapur hetime Oda e Mjekëve të Kosovës. Gazeta ka mësuar se Gjyqi i nderit do të mbajë një seancë javën e ardhshme për këtë rast. /Gazeta Shneta/