Në vitin 2021, në Bashkimin Evropian pati rreth 47,000 vdekje për shkak të vetëvrasjeve, sipas Eurostat.
Numri i vetëvrasjeve është duke rënë në BE. Kështu ka raportuar burimi Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Në vitin 2021, në 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian pati rreth 47,000 vdekje nga vetëvrasjet, duke shënuar një rënie prej 13.3% krahasuar me vitin 2011, kur të dhënat filluan të regjistroheshin.
Kjo përfaqëson një mesatare prej 10.2 vdekjesh për 100,000 banorë.
“Edhe një vetëvrasje është shumë. Kështu që fakti që kemi pasur një rënie prej 13% të shkallës së vetëvrasjeve në BE dhe natyrisht një rënie më të ngadaltë të vetëvrasjeve në pjesën tjetër të botës, do të thotë vetëm një gjë: nuk duhet të festojmë, por duhet të marrim mësime”, tha Dr. Ledia Lazëri, Këshilltare Rajonale për Shëndetin Mendor në Zyrën Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, për Euronews.
Sllovenia regjistroi shkallën më të lartë të vetëvrasjeve në BE në vitin 2021, me 19.8 vdekje për 100,000 banorë. Pas saj vijnë Lituania dhe Hungaria.
Në anën tjetër, Qipro ka regjistruar shkallën më të ulët të vdekjeve të standardizuara për vetëvrasje me 2.7 vdekje për 100,000 banorë. Pas saj renditen Greqia dhe Italia.
Shkalla e vetëvrasjeve mbetet më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat, me meshkujt që përbëjnë mbi tre të katërtat e të gjitha vdekjeve nga vetëvrasja.
Numri më i lartë i vdekjeve nga vetëvrasjet në BE u regjistrua në grupmoshën 45 deri 64 vjeç, me 17,441 vdekje, që përbëjnë 37% të totalit, sipas Eurostat. /Gazeta Shneta/



